Dallimet në mes koalicionit qeveritar dhe opozitës, të cilat kanë zhytur vendin në krizë politike tash e disa muaj, nuk i ka zbutur as kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili gjatë fundjavës ka zhvilluar takime joformale me homologun e tij, Kadri Veseli, dhe liderët e partive opozitare.
Burime brenda takimeve i kanë thënë gazetës se nuk ka pasur propozime konkrete nga Meta, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Ai vetëm ka dashur të informohet për situatën, duke i marrë qëndrimet e pozitës dhe të opozitës, sa u përket pikëpamjeve të tyre për tejkalimin e krizës”, ka thënë burimi.
Por pak para nisjes për në Tiranë, Meta, pas një dreke me kryetarin Veseli, ka folur shkurt para medieve. Kryeparlamentari shqiptar ka thënë se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të vendosur një dialog gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm. Nuk ka treguar nëse ka arritur t’i bindë të gjitha palët për këtë dialog.
“Gjatë kësaj kohe kemi shkëmbyer mjaft mendime me kolegun tim Kadri Veseli dhe me kolegët e tjerë, veçanërisht me liderët e opozitës, për situatën aktuale politike. Mund të them se largohem me bindje të plotë se në Kosovë ndërmjet politikanëve ekziston një vullnet pozitiv për të rivendosur dialogun e qëndrueshëm, demokratik e gjithëpërfshirës me qëllim të kapërcimit të mosmarrëveshjeve aktuale, përmes dialogut dhe rrugës institucionale dhe kushtetuese”, ka thënë Meta.