Lajmet e fundit

Frroku në gjyq me 4 akuza, më e rënda vrasja në Belgjikë

Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar hetimet dhe ka ngritur 4 akuza për shtetasin Mark Frroku, me funksion “deputet”, i cili aktualisht gjendet nën masën e sigurisë “arrest me burg”, të caktuar nga Gjykata e Lartë.

Ai do të gjykohet për 4 vepra penale, atë të vrasjes së një shqiptari në Belgjikë, mos deklarimit të mbi 2 milionë dollarëve pasuri, pastrimit të parave nga trafiku i drogës dhe ndërtimit të paligjshëm mbi një godinë të cilën ja kishte blerë deputetit Tom Doshi.

Përmes një njoftimi zyrtar për mediat, Prokuroria e Përgjithshme jep detaje për akuzat e ngritura ndaj Frrokut.

1. “Vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal. Kjo vepër i atribuohet të pandehurit për ngjarjen e ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë, kur pas një përleshje ndërmjet të akuzuarit Frroku, në bashkëpunim me disa të tjerë, ka mbetur i vdekur shtetasi shqiptar Aleksandër Kurti. Në bazë të veprimeve proceduriale hetimore, rezulton se i pandehuri Frroku dhe 3 bashkëpunëtorët e tij kanë vrarë shtetasin Kurti, për shkak të përplasjeve në aktivitetin e paligjshëm të shfrytëzimit të prostitucionit.

2. “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nënpunësve publikë”, parashikuar nga neni 257/a/2” i Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të kryera, shtetasi Mark Frroku akuzohet se nuk justifikon me burime të ligjshme pasurinë në vlerë mbi 2 milion dollarë (saktësisht 209.627.218 lekë të reja).

3. “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Mark Frroku është dënuar në vitin 2002 nga autoritetet e Hollandës me 3 vjet burgim, për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”.

4. “Ndërtim i paligjshëm”, të parashikuar nga neni 199/a/2 i Kodit Penal. Më datë 12.04.2015, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore te Komisariatit te Policisë Nr.3 Tirane është konstatuar se në rrugën e Durrësit, pranë Bllokut të Ambasadave, mbi një ndërtim ekzistues 4 katësh, plus një shtesë një kat në të gjithë sipërfaqen e ndërtimit, i cili rezulton të jetë ish Hotel Pensioni, po kryheshin ndërtime pa leje, konkretisht shtesë anësore një kat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.