Është një ushtri qensh endacakë në Tiranë, pothuaj 10 mijë, që po i ndryshojnë fytyrën kryeqytetit, duke e shndërruar në kryeqytetin e qenve.
I ndesh afër çdo kazani portokalli, të zihen e lëpihen, pas plehrave dhe njerëzve që kërkojnë shishe plastike, nga ato që i blejmë më pas për të reja.
Të shoqërojnë shëtitjen e mëngjesit, nga liqeni, në tufa, lukuni që bërtasin dhe të heqin çdo dëshirë të kthehesh sërish, në të vetmin park të qytetit. Vrapojnë pas qenve të shoqëruar, nënave me karroca bebesh, zënë çdo shteg, të sulen kur vrapon dhe e kanë shpallur zonë qensh, atë mrekulli ndërtuar nga njeriu, atëherë kur në këtë qytet ndërtoheshin jo vetëm shumëkatëshe.
I gjen të shtrirë në ato pak trotuare që kanë lënë bosh, te “Komuna e Parisit”, që në fakt, edhe pse zona e banimit e shumë ministrave dhe politikanëve, fare mirë mund të quhet komuna e qenve.
I gjen para Presidencës, te Libri Universitar, duke penguar të hyjnë në librari edhe ata pak njerëz që blejnë ende libra në këtë qytet te palexuar.
Por më shumë iu pëlqen të rrinë te Kryeministria, aty afër parkut, që në kohë protestash mbushet me policë, dhe në kohë paqeje me qen rruge, të cilët vrapojnë e shumohen në atë bar që lidh qeverinë me piramidën, njëra me më shumë histori se tjetra, tani vend qensh.
I gjen në Bllok, i gjen në orët e ndalimit të makinave, kur bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është i gjithi bosh për kalimtarët dhe qentë. Provo të shkosh te kopshti zoologjik. Veç qenve endacakë, gjithë kafshët e tjera ngjajnë si të balsamosura, lënë aty për të tërhequr prindërit e shkretë që nuk dinë ku t’i çojnë fëmijët të familjarizohen me kafshët. Dhe përfundojnë atje, në të vetmin park zoologjik të kryeqytetit, që ngjan si i zënë në çark mes atyre pallateve që janë ndërtuar me leje, në tokën që dikur u përkiste kafshëve, duke lënë aq pak vend, sa me siguri, ndonjë ndërtues i guximshëm do e rrëmbejë dhe atë copë tokë, do ndërtojë pallate dhe do i pikturojë fasadat me figura kafshësh, për të na kujtuar që dikur kemi pasur edhe luan, edhe ujk, edhe dhelpër, nga ato të vërtetët, jo me gjoja, si te kartonët e platformave private, televizive.
Qentë i gjen kudo në kryeqytetin e turpshëm, që nuk ka festë ta zbukurojë, se ndesh qen dhe lypsa, si në asnjë kryeqendër kryeqyteti europian, sa të kap inati; si përfunduam kështu?
Ky është një kryeqytet i mjerë. Ishte një kohë, kur lexoje librat e Kadaresë, të ngjante se në Tiranë binte vetëm shi, aq sa të dukej si kryeqyteti i shiut, pastaj, kohë më pas, u bë kryeqyteti i ngjyrave, tani fare mirë, Tirana mund të quhet kryeqyteti i qenve. Çdo pallat ka qentë e tij, çdo rrugë, rrugicë, dyqan, park, ka ushtrinë e vet. Të duket se edhe ata, si gjithë shqiptarët, i kanë braktisur qytetet e tyre dhe jetojnë të gjithë në Kryeqytet.
Po njerëzit, ku jetojnë, si jetojnë në këtë kaos, gjithë frikë se qentë mund t’i sulmojnë, të ngjisin sëmundje, të ngordhin nga të ftohtët, t’i shtypin makinat, që nuk ndalojnë as kur shtypin njerëz. Po ku kanë mbetur njerëz në këtë qytet që të nxehen se po iu pushtojnë hapësirat publike! Të gjithë, pas derës së tyre, i vënë çelësin dhe kujdesen për të vetat, duke harruar që jeta vazhdon pas dere dhe pallatet tona mund të bien njëri pas tjetrit, bashkë me këtë botë të gënjeshtërt që kemi ndërtuar brenda apartamenteve. Ndaj është e kotë të marrësh dorën e atyre që as flasin, as bërtasin, kur në çdo park pallati, në vend të lulishtes, janë themelet e një pallati të ri. Ata nuk meritojnë të pyeten, as për njerëzit, as për qentë. Nuk ka vlerë të bëjmë një referendum kryeqytetas, se ç’do të ndodhë me fatin e qenve të rrugës. Referendum bëhet në vendet demokratike. Ne nuk jemi demokratë, jemi dembelë llafazanë, që kujtojmë se demokracia është llogje në blogje. Ne nuk meritojmë të pyetemi për fatin e qenve. Por Tirana meriton të shpëtojë fytyrën. Nuk ka qenë kurrë më turp t’i prezantosh këtë qytet, fëmijës tënd. Shoqata ArSa që kujdeset për adoptimin e qenve të rrugës, propozon modelin turk, një projekt që respekton dinjitetin e katërputroshave. Sazan Guri kundërshton vrasjen e qenve, si në kohën kur të shpërblenin në Bashki po të çoje vesh qensh. Ai tregon se prej 2009-s, pas miratimit të ligjit, Bashkia nuk i vret më qentë. Skuadrat e pushkatimit janë kthyer në skuadra trajtimi, por tani janë vetë njerëzit që po vrasin qentë e rrugës, jo për shpërblim, por nga shqetësimi. Guri kërkon të krijohet mundësi për bashkëjetesën e qenve me njerëzit dhe marrjen e tyre në shtëpi.
Vetë Bashkia shpjegon se deri tani i ka numëruar dhe meqenëse nuk ka gjetur asnjë projekt nga Bashkia paraardhëse, tani po mendon projektin e saj dhe është ende në fazën e hartimit të një projekti për një zgjidhje të qëndrueshme etj., etj., i keni vetë parasysh këto frazat, që zgjaten, zgjaten, zgjaten dhe kur mbarojnë, ti mendon se të kanë dhënë përgjigjen më të mirë të mundshme, por nuk të kujtohet pyetja. Por nuk dua të paragjykoj Bashkinë e re të Tiranës. Mbase edhe mund ta gjejnë zgjidhjen. Ndonëse, druaj se nuk do të ndodhë gjë, derisa edhe qentë të marrin në dorë fatin e tyre e të mërgojnë dhe ne ta zgjidhim edhe këtë problem, duke ikur dhe i ikur, siç zakonisht bëjmë.