Numrat nuk duhet të jenë problem për miratimin buxhetit për vitin 2016, por brengosë fakti se ai nuk sjell asnjë risi: Kjo qeveri vetëm 65 milionë euro i ka për projekte të reja. Pra, nuk po duket vizioni i premtuar i LDK-së, ndërsa vazhdon ai i trashëguar nga “Qeveria Thaçi”
Nga Ibrahim REXHEPI
Problemi më i vogël është ajo se a do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve në momentin kur duhet të miratohet Ligji për Buxhetin 2016. Madje, nuk duhet pasur asnjë shqetësim edhe nëse votimi për të nuk ndodhë gjatë dhjetorit, pasi, pa sjellë ndonjë pengesë të madhe, kjo procedurë mund të zvarritet deri në fund të marsit. Me këtë qeveria nuk do të futej në zonën kritike, atë të pamundësisë për pagesa. Mund të ketë pak reduktime që nuk do të reflektojnë në rrjedhën e punëve në agjencitë buxhetore. Por, edhe ashtu në mot nuk pritet se do të hapen punë të reja, për të cilat duhen pagesa shtesë.
Ndërkaq, për brengosje janë tri gjëra, të cilat, sipas propozimit të projektligjit, duket se qeveria i ka neglizhuar tërësisht: Ambienti i përgjithshëm ekonomik dhe politik, mospërmbushja e premtimeve që dalin edhe nga programi qeveritar dhe mungesa e vizionit të ri, atij të premtuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si parti që udhëheq koalicionin qeverisës.
Kriza politike, e cila po thellohet nga bllokimi i punës së institucioneve pa dyshim se do të reflektoj që në perspektivën e vendit. Nga aspekti formal Kuvendi i Kosovës nuk do ta ketë problem që këtë dokument ta miratoj edhe pa deputetët e opozitës, jashtë sallës ku zakonisht i mbanë seancat plenare dhe me maska në fytyrë, për shkak të gazit lotsjellës. Miratimi në këto rrethana nuk mund të thuhet se nuk ishte i rregullt, meqenëse asnjë ligj nuk e përcakton vendin se ku duhet të mbahen seancat, apo si duhet të duken deputetët. Mirëpo, mesazhi i këtyre pamjeve është shumë më i fuqishëm se sa vet miratimi i buxhetit. Kjo edhe njëherë do të dëshmoj se vendi po rrëshqet edhe më thellë më kaos, me fajin opozitës, por edhe të mazhorancës, si ligji më i rëndësishëm po kalon procedurat formale, por pa hapur një debat të thellë dhe analitik për të ardhmen e vendit dhe me mungesë të një koncenzusi së paku për mënyrën se si do të shpenzohen paratë që shteti përfiton nga djersa e tatimpaguesve.
Për investitorët dhe në përgjithësi për biznesin ky është mesazhi më i fuqishëm, se sa vet tabelat buxhetore, apo , ta zëmë dokumenti që rregullon investimet strategjike. Mënyra e punës së Kuvendit të Kosovës, bartësve të zhvillimit ekonomik – bizneseve iu tregon qartë se Kosova është një shtet jo stabil, ku miratimi i ligjeve trajtohet si çështje formale-vetëm e numrave dhe e gishtërinjve, ku në punën e qeverisë është i theksuar autoritarizmi dhe përdorimi i dhunës si mjet për të dominuar në tregun politike, Kuvendi është apatik dhe me mungesë iniciativash për zgjidhje, ndërsa opozita arrogante, agresive, e rrezikshme dhe pa konsideratë për mekanizmat e veprimit demokratik. Të gjitha këto dukuri janë frikësuese . Prandaj, në rrethana të këtilla duken të paarritshme premtimet që jep qeveria, si për normën e zhvillimit ekonomik, rritjen e sigurisë për investitorët, krijimin ambientit joshës për investime dhe për punësim më të madh. Ajo sikur harron se që të gjitha bazën e kanë te funksionimi i shtetit, efikasiteti i institucioneve dhe respektimi i ligjeve. Ndërkaq, asnjëra prej tyre nuk mund të në ambientin kur kuvendi punon në rrethana jonormale dhe kur qeveria krejt këtë situatë e pranon si normale.
Në anën tjetër as numrat nga tabelat buxhetore nuk tregojnë se në mot na pret dicka më e mirë. Pa marrë parasysh plusit e minuset e lehtë që vërehen, nuk ka ndryshime qenësore krahasuar me buxhetet e mëhershme. Kjo posaçërisht vërehet te mesazhi që përcjell ky dokument: vazhdon ruajtja e gjendjes aktuale. Duket sikurse ai është punuar me logjikën se “më mirë është të mbahet jo gjendje, se sa të bëhet më keq”. Prandaj, ai nuk premton zhvillim, nuk ngjallë shpresë se do të jetojmë më mirë dhe së paku me pak më shumë begati se vitet e mëhershme.
Së pari, të hyrat prej afër 1,6 miliardë eurosh, me një rritje 4,1 për qind, vazhdojnë të vjelën në kufi. Nga 61 për qind sa ishte sivjet pjesëmarrja e të hyrave nga kufiri, në mot shkojnë në 63 për qind. Kjo tregon se lehtësitë fiskale, me të cilat aq shumë po kronohet kjo qeveri, nuk do të kenë asnjë efekt. Pa marrë parasysh se shumë produkte kanë normë më të ulët të TVSH-së, ose janë liruar krejtësisht nga obligimet fiskale. Ndikimi i tyre do të duket vetëm atëherë kur rriten të hyrat buxhetore nga vjeljet e brendshme. Kjo ndodhë vetëm kur ka rritje ekonomike, disiplinë financiare dhe ulje të informalitetit.
Shpenzimet, të cilat janë afër 83 milionë euro më të mëdha se të hyrat do të rriten 2 për qind më shumë. Ky është një element pozitiv, i cili tregon se po synohet që përmes rritjes më të shpejtë të të hyrave, krahasuar me shpenzimet, synohen ulja e deficitit buxhetor. Mirëpo, ka përplot gjëra të tjera që dëshmojnë për një buxhet social, e jo zhvillimor. Së pari- ndonëse me shumë prej 548 erosh sa do të shpenzohet qartë tregohet se nuk do të ketë rritje të tyre dhe ato ruajnë nivelin e pjesëmarrjes i në të hyra, ashtu edhe në shpenzime. Por, megjithatë, në total do të kenë një rritje dy për qind, që mund të vjen nga rritja e numrit të punëtorëve, që do të ishte absurd, apo nga korrigjimi i pagave. E dyta, për përfituesit nga skemat e ndryshime sociale do të shpenzohen rreth 450 milionë euro,që paraqet rritje gati 5,5 për qind. E treta- shpenzimet kapitale bijnë në 463 milionë euro dhe do të kenë një rritje të padukshme krahasuar me sivjet- ,vetëm 1,1 për qind. Me këtë shuhem ruhet pjesëmarrja e tyre në raport me të hyrat, shpenzimet dhe pagat. Mirëpo, ndarjet që duhet të reflektojnë në nromën e zhvillimit ekonomik, si edhe ën krijimin e ambientit më të favorshëm për zhvillim, edhe më tutje janë dukshëm më të ulëta se ato për mbulimin e problemeve sociale. Në total, për çështje sociale do të shpenzohen mbi 62 për qind të të hyrave, kurse për zhvillim- 28,9 për qind të tyre, apo një pikë të përqindjes më pak se sa pritjet për vitin 2015.
Prandaj, shifrat tregojnë qartë: nuk pritet zhvillim. Do të ketë vetëm shpenzimet për të përmbushur kërkesat e kategorive sociale.
Këtë vlerësime fuqizon edhe fakti se kjo qeveri do të vazhdoj të paguaj faturat që ka trashëguar nga ajo e kaluar- për projekte të reja investohen 14 për qind e ndarjeve për shpenzime kapitale, apo vetëm 65 milionë euro.