Lajmet e fundit
Prishtina akuzon Beogradin për agresion

Prishtina akuzon Beogradin për agresion

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Serbinë se sulmi në shkollën “Sveti Sava” në ditën e zgjedhjeve ka qenë i planifikuar dhe se shkatërrimi i materialit zgjedhor dhe kërcënimet ndaj komisionerëve e vëzhguesve janë bërë nga njerëz profesionistë, prapa të cilëve qëndrojnë strukturat e shtetit serb Ndërkaq Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë të ditur se njëri prej sulmuesve është nga Beogradi.
Sulmi në qendrën e votimit në Mitrovicën e veriut ka qenë i organizuar dhe i planifikuar nga njerëz profesionistë prapa të cilëve qëndrojnë strukturat ilegale të Serbisë. Kështu kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilëve zgjedhjet në veri është munduar t’i prishë Serbia. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se faji për cenimin e procesit zgjedhor në veri të Mitrovicës nuk mund t’u lihet vetëm huliganëve.
“Në komunën e Mitrovicës veriore, përkatësisht në shkollën “Sveti Sava” sulmi ka qenë i planifikuar, i organizuar dhe njerëzit të cilët kanë shkatërruar materialin zgjedhor dhe ata që i kanë kërcënuae komisionerët, vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtare kanë qenë njerëz shumë profesionistë. Padyshim që nuk mund t’u lihet vetëm huliganëve të caktuar dhe unë mendoj që mbrapa një akti të tillë qëndrojnë struktura të shtetit serb”, ka thënë Hoxhaj.
Prishtina dhe Beogradi me ndërmjetësimin e Brukselit në prill të këtij viti ishin marrë vesh që 30 shtatori të jetë afati i fundit për shuarjen e të gjitha strukturave paralele serbe. Ministri Hoxhaj e ka pranuar se këto institucione vazhdojnë të funksionojnë në forma të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published.