Dhuna që ka ushtruar burri ndaj motrës së Valon Eminit, nga Komuna e Obiliqit, dyshohet se e ka shtyrë atë ta vrasë dhëndrin e tij, Nazmi Ajetin, nga Podujeva. Ngjarja ka ndodhur ndërmjet ditës së diel dhe të hënë, para dyerve të shtëpisë së familjes Emini në Milloshevë, kur Nazmi Ajeti kishte shkuar për ta marrë gruan e tij që po qëndronte në shtëpinë e prindërve. Express ka qëndruar në këto dy familje në Milloshevë dhe Podujevë, të hënën gjatë ditës, nga ku sjell rrëfimin për këtë ngjarje tragjike.
Gjurmët e gjakut të Nazmi Ajetit ende janë të freskëta në vendin ku ndodhi vrasja e tij. Ai u qëllua rreth 30 minuta pas mesnatës të së hënës, nga vëllai i gruas së tij, 27 vjeçari Valon Emini. E gjithë tragjedia ndodhi në oborrin e shtëpisë së këtij të fundit, në fshatin Milloshevë, Obiliq.
Motra e Valonit kishte disa ditë që ishte kthyer në shtëpinë e babait dhe refuzonte t’i shkonte sërish bashkëshortit, Nazmi Ajeti, me të cilin kishte tre fëmijë.
Të afërm të familjes Emini i kanë thënë Gazetës Express se ajo maltretohej fizikisht nga babai i dy vajzave dhe djalit të saj. Ata tregojnë se dhuna që Nazmiu nga Podujeva ushtronte ndaj bashkëshortes nuk ndalej dhe kjo e kishte shtyrë atë që të mos kthehej në shtëpinë e burrit.
Por kur 43 vjeçari, Nazmi Ajeti, shkoi të dielën, gati në mesnatë, për ta marrë gruan tek babai i saj e ta kthejë në shtëpi, aty nisi një konflikt me mikun e tij, Valonin. Gjithçka eskaloi deri në vrasje. Valon Emini e qëlloi me armë zjarri dhëndrin, i cili ndërroi jetë ende pa mbërritur për trajtim mjekësor në QKUK.

(Shtëpia e familjes Emini në Milloshevë të Obiliqit)
Valoni, menjëherë pas krimit, u largua nga shtëpia e tij dhe vazhdon të mos iu dorëzohet organeve të drejtësisë që të japë përgjegjësi për vrasjen e dhëndrit.
Gazeta Express ka qëndruar në Milloshevë për ta takuar babanë e Valonit, Naser Eminin. Por ai refuzoi të flasë për tragjedinë që i ndodhi në derë të shtëpisë.
Para shtëpisë, ku edhe ndodhi vrasja, rreth orës 00:30 të ditës së hënë, shihej vetëm gjak i freskët i viktimës, policë të cilit ruanin vendin e krimit dhe disa vetura tjera të parkuara, e që njëra prej tyre e tipit “Renault” ishte në pronësi të dorasit.
Askush tjetër nuk kalonte andej…
Familja Emini kishte mbyllur edhe të gjitha dyert e hotelit të tyre, pak kilometra nga shtëpia, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë.

(Hotel “Hawona” në Magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, pronë e familjes Emini)
Njëjtë sikurse familja Emini, për Gazetën Express refuzuan të flasin edhe familjarët e viktimës, Nazmi Ajeti, të cilët vetëm konfirmuan vdekjen e të fundit dhe treguan se po përgatiteshin për të hapur dyert e shtëpisë për të pamën e vëllait të tyre në Lagjen Brecali të Podujevës.
“Nuk keni çka me u dok knej për ma shumë”, tha përmes telefonit Avni Ajeti, vëllai i të vrarit, i cili është këshilltar komunal në Podujevë.
Nazmi Ajeti ishte ish-ushtar i UÇK-së në Zonën e Llapit. Ai gjatë luftës për disa kohë kishte jetuar në ilegale dhe konsiderohet si njëri ndër themeluesit e UÇK’së.
Gazeta Express mëson nga burime zyrtare se viktima ishte person i dyshuar për disa vepra penale dhe emër i njohur për organet e drejtësisë në Podujevë dhe Prishtinë. I njëjti edhe ishte i dënuar për një rast zhvatjeje ndaj disa udhëtarëve të linjës së autobusit Prishtinë-Beograd.

(Shtëpia e familjes Ajeti në Podujevë)
Ajeti pak minuta para se të vritej, në profilin e tij në facebook, kishte lënë një porosi. Ndonëse ende s’ishte qëlluar, Ajeti thoshte se ishte ‘plagosur rëndë’ e që lë të kuptohet se ishte dedikuar për gruan e tij.
“Shum her hienat me kan sulmuar e kafshuar, ksaj radhe me kan plagosur rand nese e mar veten si luan qe jam sde instiktin e mbrojtjes se klyshve do ti zhduku hienat per ni koh se sa gjat shkom nuk e di,mu kan ba shum por njana me ka lendue shum”, kishte shkruar pak para mesnate Ajeti në facebook.

(Postimi i fundit i Nazmi Ajetit në facebook)
Vrasjen në Milloshevë e kanë konfirmuar të hënën në mëngjes edhe Policia e Kosovës. Në raportimin e tyre tregohet se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë ligjore për autopsi, ndërkohë që hetuesit rajonalë janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.
Policia tregon edhe se personi i dyshuar për këtë rast ndodhet në arrati për që ai tashmë është identifikuar dhe po kërkohet nga ana e policisë.
“Sot në orën 00:12 minuta, policia ka marrë informacionin për një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Milloshevë të Obliliqit. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, ku kanë hasur në një person të plagosur, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Viktima e këtij rasti N. A. 43 vjeç, mashkull, shtetas i Republikës se Kosovës, duke mos mundur t’u përballoj plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor i QKUK-së”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.
Gazeta Express ka kërkuar edhe versionin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila sipas detyrës zyrtare merret me rastin. Por këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës të dërguara në e-mail. /GazetaExpress/.

(Viktima, Nazmi Ajeti nga Podujeva)

(Vetura “Renault” e të dyshuarit për vrasje)




(Gjurmët e gjakut në oborrin e shtëpisë së Naser Eminit ku ndodhi vrasja)