Situata e sigurisë në veri gjatë javës së fundit ka qenë e qetë, por jo edhe e qëndrueshme. Kështu është vlerësuar të hënën në takimin e Komitetit Lokal për Siguri Publike, i cili mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Drejtori i kësaj drejtorie, Behxhet Bala, ka përmendur shpërthimin, që ka ndodhur javën e kaluar në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lagjen e Boshnjakëve. “Si pasojë janë shkaktuar shumë dëme materiale, por nuk ka pasur të lënduar. Kërkojmë nga organet përgjegjëse që sa më parë ta zbardhin rastin”, ka thënë ai.
Duke u ndërlidhur me përsëritjen e votimeve, të cilat do të mbahen më 17 nëntor në tri qendra votimi në veri, Bala ka theksuar se atje është duke vazhduar antifushata e grupeve ekstremiste kundër mbajtjes së zgjedhjeve. “Këto grupe janë duke i frikësuar qytetarët në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje”, ka theksuar Bala.
Ai ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të mobilizohen në mënyrë që më 17 nëntor të ketë kushte për zgjedhje të lira edhe në veri.
Ndërsa përfaqësuesit e Policisë së Kosovës (PK) në jug, kanë theksuar se janë duke u përgatitur që edhe balotazhi të shkojë pa probleme.