Lajmet e fundit
Votat e pavlefshme rrezikojnë procesin

Votat e pavlefshme rrezikojnë procesin

Ish-drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Mazllum Baraliu dhe Adnan Merovci, janë shprehur të shqetësuar me daljen e më shumë se 100 mijë fletëvotimeve të pavlefshme. Për këtë numër të votave të pavlefshme ata e kanë kritikuar KQZ-në dhe organet e saj.
Dalja e më shumë se 100 mijë fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit është vlerësuar shqetësuese nga ana ish-drejtuesve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).  Ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Epokën e re” se ky numër i fletëvotimeve të pavlefshme ka ndodhur për shkak të mospunës së institucionit i cili i ka organizuar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Sipas Baraliut, për këto zgjedhje ka munguar sensibilizimi dhe edukimi i votuesve nga ana e KQZ-së. “Numri aq i madh i votave të pavlefshme është mjaft brengosës. Ky numër i votave të pavlefshme është si rezultat i punës jo të mjaftueshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sekretariatit të KQZ-së dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore.
Në këto zgjedhje kanë munguar sensibilizimi dhe edukimi i votuesve. Ju e dini se asnjëherë në televizionet nacionale nuk e kemi parë udhëzimin se si duhet të votojë një qytetar, por kemi parë sanksionimet në rast se keqpërdoret vota”, ka deklaruar Baraliu, duke shtuar se KQZ-ja ka pasur kohë të mjaftueshme t’i sensibilizojë votuesit. “Nga 2010 ka pasur mjaft kohë të punohet intensivisht në projekte të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë me votuesit. KQZ-ja është dashur të punojë shumë në edukimin e votuesve, sidomos ata të cilët kanë nivel të ulët të arsimimit. Së bashku me bashkëpunëtorë në vitin 2007 i kemi bërë këto punë, pra kemi punuar shumë në sensibilizimin e kësaj kategorie të qytetarëve, përfshirë femrat dhe të rinjtë, të cilët për herë të parë kanë të drejtë të votojnë”, është shprehur Baraliu.
Ai ka thënë se qytetarët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e procesit demokratik elektoral por, për fat të keq, u ka shkuar mundi huq. “Nuk ka pasur udhëzime të mjaftueshme. Prandaj, fatkeqësisht, kanë votuar gabimisht. Nuk besoj se këto vota të pavlefshme janë bërë qëllimisht nga qytetarët. Nuk e përjashtoj mundësinë se një numër i vogël i tyre kanë shkuar në votime vetëm sa për ta prishur fletëvotimin. Jam i bindur se një numër shumë i madh i këtyre votuesve kanë shkuar në votime me qëllimin më të mirë, shtetëror dhe kombëtare, për t’i votuar njerëzit e tyre që dëshirojnë t’i udhëheqin”, ka thënë Baraliu, duke shtuar se rinumërimi i votave do të ishte në rregull. “Mund të ndodhë edhe gjatë numërimit të votave fletëvotimet nuk janë shikuar mirë ose dikush me qëllim i ka shpallur të pavlefshme. Prandaj, rinumërimi është i mirë dhe ndoshta do të nxjerrë një numër të votave të cilat mund të jenë të rregullta”, ka thënë Baraliu.
Merovci: Votat e pavlefshme, rezultat i informimit të pamjaftueshëm të KQZ-së
Edhe ish-kryeshefi tjetër i KQZ-së, Adnan Merovci, ka folur për çështjen e daljes të mbi 100 mijë votave të pavlefshme në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Ai ka thënë për “Epokën e re” se ky numër aq i madh i votave të pavlefshme nuk do të duhej të ishte. “Numri kaq i madh i votave të pavlefshme krijon dilema dhe huti, pas një procesi shumë të suksesshëm zgjedhor. Numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme jodomosdoshmërisht do të thotë se zgjedhjet janë manipuluar. Megjithatë, kjo nuk është një gjë e këndshme gjatë numërimit të votave sepse, në një apo mënyrën tjetër, lë përshtypje të keqe dhe hapësirë për manipuluesit. Këtu duhet të kihet parasysh numërimi i saktë dhe përputhja e rezultateve sepse asnjë votë nuk duhet të humbet nga përputhja e rezultateve”, është shprehur Merovci, duke e kritikuar KQZ-në për mosinformim të mjaftueshëm.
“Votat e pavlefshme kryesisht janë rezultat i informimit të pamjaftueshëm publik nga ana e KQZ-së. Afati i shkurtër dhe informimi publik i paefektshëm nga ana e KQZ-së kanë ndikuar që votuesit gjatë votimit të bëjnë gabime të cilat që kanë çuar në numër aq të madh të votave të pavlefshme”, ka deklaruar Merovci. Në këtë kontekst, Merovci ka thënë se rinumërimi i votave nuk është zgjidhje. “Nuk mendoj se rinumërimi është zgjidhje. Votat e pavlefshme nuk e luhatin besueshmërinë në saktësi të rezultatit. Problemi qëndron se me një numër kaq të madh të votave të pavlefshme cenohet legjitimiteti i të zgjedhurve sepse nuk shpreh saktë vullnetin e votuesve, sepse votat e pavlefshme kryesisht janë rezultat i votimit të gabuar dhe të pavetëdijshëm të votuesve”, ka thënë Merovci. Nga mbi 100 mijë fletëvotime të pavlefshme të publikuara deri më tani, del se për kryetarë të komunave janë të pavlefshme 28 mijë e 559 vota, ndërsa për kuvendet komunale janë të pavlefshme 81 mijë e 782 vota.

Leave a Reply

Your email address will not be published.