Lajmet e fundit
Mashtrime për rritje të pagave

Mashtrime për rritje të pagave

Premtimet e kryeministrit Hashim Thaçi të bëra gjatë fushatës për rritjen e pagave në sektorin publik, ku për kategori të caktuara ka premtuar edhe rritje deri në 100 për qind, po dalin se janë premtime të pambuluara me buxhet.

Në projekt-buxhetin e vitit 2014, të cilin qeveria e ka dorëzuar në Kuvend për miratim, është paraparë fondi prej 48 milionë eurove për rritje të pagave, por nuk është specifikuar se për cilën kategori.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anëtare në Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvend të Kosovës, thotë se ky fond prej 48 milionë euro kur është marrë në shqyrtim ka dal se, prej këtij fondi 18 milion shkojnë për reforma në administratën publik edhe për pagesën e stafit për Universitete të reja dhe pjesa e mbetur 30 milion shkojnë për rritje të pagave. “Ky 30 milionësh nuk është specifikuar se për cilën kategori do të shkojë. Por, nëse shkon për gjithë sektorin publik, mesatarja e rritjes së pagave mund të jetë 7 për qind, dhe assesi 100 për qind si ka premtuar kryeministri Thaçi”, tha Bajrami.

Sipas saj, rritje më e lartë mund të ndodhë vetëm nëse i gjithë fondi shkon për vetëm një kategori. Por, në atë rast do të zgjonte reagime të kategorive tjera, dhe kështu nuk mund të ndodh ajo. “E fakti që në buxhet që tani pritet të votohet nuk janë specifikuar kategoritë që do të përfitojnë nga rritja, është lënë me qëllim për shkak se përsëri do të ketë zgjedhje me balotazh dhe kryeministri përsëri do të luaj me premtime duke i veçuar kategoritë e caktuara varësisht si e sheh interesin e votave”, shtoi Bajrami.

Sipas projekt-buxhetit të vitit 2014 dhe planifikimeve për dy vitet e tjera shihet se Qeveria ka paraparë rritje të pagave vetëm në dy vitet e para e jo edhe në 2016-ën, që sipas deputetëve vet Qeveria po tregon se këtë rritje e ka pas vetëm për mashtrime gjatë fushatës. “Është pikërisht ky buxhet që tregon se premtimet nuk janë aspak reale. Kjo Qeveri është mashtruese që po luan me punëtorët e sektorit publik”, tha Teuta Haxhiu nga AAK

Albana Fetoshi nga “Vetëvendosje” thotë se që të ketë punësim për të gjithë, pastaj rritje të pagave, është e domosdoshme që të mos e kemi këtë qeveri në pushtet e cila e ka dobësuar shtetit dhe e ka përdorur pushtetin për pasurim personal. “Që të kemi mirëqenie për të gjithë duhet që secila pjesë e politikës të funksionojë. Duhet që pasuria e përgjithshme e akumuluar të shpërndahet drejt. Në Kosovë asnjë pjesë e politikës nuk është në funksion të qytetarëve por është në funksion të pushtetarëve që e kanë mbytur Republikën dhe e kanë drejtuar akumulimin e pasurisë kah vetja e tyre”, tha Fetoshi.

Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë thënë se ende nuk ka marr vendim Qeveria për fillimin e implementimit te rritjes se pagave. “Vendimin mbi rritjen e pagave duhet ta merr Qeveria e Republikës se Kosovës dhe me atë vendim përcaktohet edhe koha e fillimit te implementimit te tij. Një vendim i tille ende nuk është marrë”, është përgjigjja nga zyra për komunikim në MF. /Zëri/

Leave a Reply

Your email address will not be published.