Lajmet e fundit

Pantina: S’e lejojmë fjalimin e Jahjagës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se pezullimi i opozitës është akt jodemokratik, njofton Klan Kosova.

“Pezullimi i opozitës nga seanca parlamentare, s’ka ndodhur në asnjë kuvend demokratik në historinë e asnjë shteti”.

“LDK dhe PDK janë lidhur me koalicion dhe ne s’e kemi kundërshtuar formimin e kësaj qeverie”.

Pantina po ashtu ka thënë se koalicioni ka dështuar dhe se është duke e forcuar opozitën me sjelljet e tij.

“Ky koalicion e ka zhgënjyer elektoratin e vet”.

“Ne do të vazhdojmë me forcë edhe më të madhe kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve, deri në arrestimin e deputetit të fundit”.

“Kjo sjellje e qeverisë na ka forcuar edhe më shumë”.

Pantina ka uruar që gjendja shëndetësore e deputetes Donika Kadaj Bujupi të përmirësohet, ndërsa ka ripërsëritur se nuk do të lejohet fjalimi vjetor i presidentes Atifete Jahjaga.

“Po shpresoj që gjendja e Donika Kadaj Bujupit s’është edhe aq alarmante dhe shpresoj që së shpejti ajo do të na bashkohet në kauzën që bashkë e nisëm”.

“Ne kemi protestuar në të gjitha seancat e rregullta të Kuvendit, përveç dy seancave të jashtëzakonshme dhe solemne që i patëm gjatë këtij sesioni vjeshtor”.

“Ne s’do ta lejojmë fjalimin e Presidentes për shkak se ajo ka një rol të unifikimit të popullit, mirëpo nuk e bëri një gjë të tillë, ngase tërë kohën ka bërë thirrje që të kthehemi në kuvend e ta ndalim gazin lotsjellës, e duke mos i bërë thirrje qeverisë që të reflektojë”.

“Në asnjë mënyrë opozita s’do ta lejojë jetësimin e këtyre dy marrëveshjeve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.