Për veprimet e tyre në kuvend si hedhja e gazit lotsjellës për të penguar vazhdimin e seancës, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli nga Lëvizja Vetëvendosje, ditën e martë përfunduan në pranga.
Ligjvënësit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët po kërkoheshin për javë të tëra, u kapën në forma të ndryshme. Albulena Haxhiun, policia e zuri te rrethi në Prishtinë.
Ndërsa, Topalli ndodhej në zyrat e Grupit Parlamentar në Kuvendin e Kosovës, kur disa policë civilë e morrin me vete.
Shqipe Pantina nga Lëvizja Vetëvendosje, që ishte me Faton Topallin kur ai u arrestua, tha se policët civilë deshën ta arrestonin edhe asistentin e grupit të tyre parlamentar.
Ndërsa, gjatë ditës në seancat dëgjimore për të dy deputetët janë shqiptuar edhe masat e dënimit, për njërin 30 ditë paraburgim kurse për tjetrin ndalim për 48 orë.
Nga kjo e martë, numri i deputetëve opozitarë që janë arrestuar shkon deri në 8.
Disa prej tyre janë në arrest shtëpiak e disa të tjerë prapa grilave. Kurse, Pal Lekaj është liruar menjëherë pas intervistimit, njofton Klan Kosova.