Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2014 do të arkëtojë mbi 100 milionë euro nga emetimi i letrave me vlerë. Ministri i Financave (MF), Besim Beqaj, tha për Radio Kosovën se qeveria ka potencial për huazim të brendshëm, dhe është duke u përgatitur të kalojë edhe në instrumente financiare afatgjata. Njëkohësisht do të zgjerojë listën e institucioneve që mund të blejnë letrat me vlerë.
Edhe vitin e ardhshëm qeveria e Kosovës do të vazhdojë emetimin e letrave me vlerë. Ministri i Financave, Besim Beqaj, thotë se qeveria ka potencial të mjaftueshëm për huazime të brendshme, dhe do të vazhdojë me emetimin e letrave me vlerë, edhe më tutje me afat të shkurtër maturimi, prej tre deri në gjashtë muaj. “Ne këtë vit i kemi pasur rreth 80 milionë euro të emetuara, të planifikuara dhe janë pothuajse të gjitha të emetuara, kurse për vitin e ardhshëm kemi mbi 100 milionë euro të parapara të cilat do të emetohen”, theksoi ai.
Sipas Beqajt, deri tani të drejtë për të blerë letra me vlerë kishin bankat komerciale, më vonë trusti i kursimeve pensionale,kurse lista pritet të zgjerohet edhe me kompanitë e sigurimeve. Por ky nuk është synimi i vetëm i Qeverisë.
“Ajo që jemi duke synuar është që të kalojmë edhe në instrumente afatgjate, të cilat po tregojnë që niveli i kamatave është shumë më i ultë sesa çfarëdo lloj kredie. Këtë vit është nën 2 për qind, dhe ka pasur performansë të mirë, pra emetimi i letrave me vlerë ka dhënë rezultate të caktuara, që tregon se tregu ka një besim në stabilitetin makrofiskal të vendit”, tha ministri Besim Beqaj.
Bankat komerciale në Kosovë kanë shprehur interesim të madh për letrat me vlerë të qeverisë. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, tha për Radio Kosovën se arsyeja kryesore për këtë është se bankat në Kosovë kanë një likuiditet të mirë viteve të fundit. “Është mundësi e mirë që të investohet në bono të thesarit, sepse është një investim me risk të ultë. Kjo nënkupton që Kosova ka një qëndrueshmëri fiskale, dhe risku i ultë për këtë lloj investimi është atraktiv për bankat”, tha Balija.
Ndryshe, shuma e borxhit publik sivjet është rreth 8.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 9.6 për qind.