Lajmet e fundit

Qeveria përndjek opozitarët, lë të lirë të korruptuarit

Lëvizja Vetëvendosje gjatë një konference të mbajtur sot ka vazhduar të akuzoj Qeverinë e Kosovës dhe gjyqësinë e dirigjuar prej saj, për arrestimet dhe përndjekjet e tjera të deputetëve opozitarë, pas arrestimit të deputetëve të opozitës për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti tha se angazhimi i Qeverisë në shtypjen e zërave kundërshtues karshi marrëveshjeve të dëmshme për Republikën ka këtë bilanc: hyrja e dhunshme dhe bastisjet e shtëpive të deputetëve, që përfundoi me arrestimin në mënyrë të egër të deputetes Donika Kadaj Bujupi e që ishte fillimi i përndjekjes politike.

“Fillimi i përndjekjeve politike është si pasojë e deklaratave të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët dhanë urdhërua për arrestime dhe si pasojë kemi 8 deputetë të përndjekur politikisht. Nën masa të rrepta siguri u arrestua edhe Albin Kurti, ai u arrestua në festën e flamurit dhe kjo ishte shumë e rëndë dhe pas gjithë kësaj kryeministri thërret me dialog”, tha ajo.

Sipas Dërgutit, si rezultat i kësaj, tashmë kanë 8 deputetë të përndjekur 3 në paraburgim me nga 30 ditë, një në paraburgim 48 orësh, 3 në arrest shtëpiak dhe një 1 me kallëzim penal, ndërkohë që 19 aktivistë vazhdojnë të mbeten në paraburgim.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që një aksion i tillë të ndërmerret në raste të korrupsionit apo edhe ndaj strukturave paralele”, theksoi ajo.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca tha se Isa Mustafa dhe Qeveria e tij janë shndërruar në një institucion që e kontrollon drejtësinë dhe e përdor atë për përndjekjen dhe persekutimin politik të opozitës së bashkuar.

Sipas tij, hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nuk është armë, është keqinterpretim.

“Të gjitha raportet që vijnë për Kosovën zakonisht e kemi drejtësinë si njërin prej sektorëve të funksionimit të keq, një drejtësi e cila nuk është e pavarur. Ju e mbani në mend se Mustafa i ka marr votat e qytetarëve për pavarësimin e gjyqësorit dhe të jetë e pavarur, ajo që po e shohim është se nuk është realizuar ky premtim. Sot Isa Mustafa kontrollon totalisht drejtësinë dhe e shfrytëzon për përndjekje politike të opozitës së bashkuar. Hedhja e gazit lotsjellës nuk është përdorim i armëve është keqinterpretim”, ka thënë Konjufca.

Leave a Reply

Your email address will not be published.