Lëvizja Vetëvendosje! përmes një komunikate për media, ka bërë thirrje që të saqrohet sulmi në Gorazhdec, si dhe sulmet ndaj shqiptarëve në veri të vendit.
Kjo është komunikat e plotë nga VV-ja:
As pas dy ditësh prej sulmit të raportuar në fshatin e banuar me shumicë serbe ne Gorazhdec të Pejës, organet e rendit nuk kanë i sqaruar rrethanat e rastit.
Ky rast nuk është i vetmi që ka mbetur pa u sqaruar. Ditët e fundit, sidomos para aktiviteteve të opozitës, ka pasur shumë lajmërime e kërcënime për bomba edhe në Prishtinë, por megjithatë organet e rendit nuk kanë bërë me dije se cilët janë fajtorët.
Duket sikur, pikërisht në këto kohë që opozita është bashkuar në aksion për të ndalur marrëveshjet e dëmshme, dikush është i interesuar të mbjellë frikë në Kosovë dhe të ashpërsojë marrëdhëniet mes komuniteteve etnike.
Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh shqetësimin e saj lidhur me këtë rast, sepse për ne çfarëdo sulmi ndaj qytetarëve të Kosovës është i papranueshëm e i dënueshëm. Ne i bëjmë thirrje Policisë që ta hetojë këtë rast sa më parë, dhe të jetë transparente ndaj publikut për të gjeturat.
Po ashtu, presim ta shohim të njëjtin përkushtim nga ana e Qeverisë, e cila e dënoi publikisht këtë sulm, edhe në rastet kur flitet për sulme ndaj shqiptarëve. Hiç më larg se vetëm një ditë më herët para sulmit në Gorazhdec, shqiptarët në veri u penguan tek rindërtonin shtëpitë e tyre.
Mbi-etnicizimi i politikave të sigurisë e i atyre shtetërore është i papranueshëm. Një shtet modern nuk mund t’i trajtojë qytetarët me standarde të ndryshme sipas etnive.
Institucionet e Kosovës duhet të kryejnë gjithnjë e kudo punën e tyre, me të njëjtin standard, që të mos mundësohet kthimi i Serbisë në Kosovë. Serbët që banojnë në Kosovë duhet të marrin kujdesin dhe mbrojtjen nga institucionet e Repubikës së Kosovës dhe nuk është e nevojshme që të kthehet Serbia përmes zyrtarëve të saj me pretekstin e kujdesit ndaj tyre. Pikërisht për këtë na duhet Republika dhe jo “Zajednica”.
9 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!