Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Ish-menaxheri i pezulluar i prodhimit të dokumenteve në Ministrinë për Punë të Brendshme (MPB), Besnik Berisha, përmes një mesazhi dërguar medieve ka thënë se gjatë 11 muajve sa ka qenë i pezulluar ai ka marrë pagë, siç ka shkruar ai pa punuar fare.
“Siç jeni në dijeni, në fillim të këtij viti publikisht pata denoncuar rastet korruptive në MPB:
– Ndërrimin dhe përshtatjen e specifikave teknike për prodhimin e pasaportave biometrike
– Ndërrimin e pajisjeve për personalizimin e pasaportave
– Ndërrrimin e aparaturave nëpër të gjitha komunat për marrjen e të dhënave biometrike
– Shkatërrimin e mijëra pasaportave dhe letërnjoftimeve biometrike
– Furnizimin e panevojshëm me pasaporta e letërnjoftime ‘blanko’
– Vendosjen e mbiemrit Hoxha në letërnjoftimet specimen etj”
Berisha ka thënë se si pasojë e këtyre keqpërdorimeve buxheti i Kosovës është dëmtuar me miliona euro, derisa për denoncimet që ai i ka bërë thotë se është shpërblyer nga ministri i MPB-së, Skender Hyseni me pezullim nga puna.
Sipas tij, ky është si njal negativ për të gjithë ata që i denoncojnë keqpërdorimet.
“Qe 11 muaj po marr pagë pa punuar fare. Tre muajt e parë 100 për qind të pagës, dhe tetë muajt e fundit 50 për qind të pagës Më duket se nuk mbeti askush imun ndaj korrupsionit,qe 11 muaj jam i “korruptuar”, marr para nga shteti pa punuar!”, ka shkruar Berisha.
Berisha ishte pezulluar nga më datën 9 shkurt, 2015, menjëherë pasi kishte denoncuar keqpërdorimet në ministrinë ku ai punonte.