Lajmet e fundit

Isa Mustafa mbledh në takim urgjent “Grupin e Prizrenit”, të cilët iniciuan shkarkimin e Haxhi Avdylit!

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas raportimit të Gazetës Blic për ndërmarrjen e një iniciative për shkarkimin e kryetarit të Degës së kësaj partie në Prizren, i ka mbledhur në takim “urgjent” disa prej këtyre iniciuesve.

Burime të sigurta të Gazetës Blic kanë bërë të ditur se takimi ndërmjet Isa Mustafës dhe delegacionit nga dega e Prizrenit ka filluar nga ora 16:00 dhe ende po vazhdon.

“Në këtë takim po marrin pjesë Anton Quni, Haziz Hodaj, Fatmir Memaj dhe Hatim Baxhaku”, i ka thënë Gazetës Blic ky burim LDK-së.

Sipas këtij burimi, këta anëtarë të LDK-së me vete kanë marrë edhe listën me nënshkrimet e delegatëve për ta shkarkuar kryetarin e Degës, Haxhi Avdylin.

Gazeta Blic ka raportuar se pikërisht është Isa Mustafa, me disa bashkëpunëtorë të ngushtë, ata të cilët po duan t’i hakmerren Haxhi Avdylit, për faktin se ai ishte kundër koalicionit me PDK-në dhe në Kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, ishte për Vjosa Osmanin, e cila e sfidoi Isa Mustafën në garën për të parin e partisë.

Ishte delegati i kësaj partie, Selajdin Fanaj ai i cili e kishte konfirmuar për Gazetën Blic fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve. Ai ka treguar se ditën e martë e ka nënshkruar këtë peticion për shkarkimin e Haxhi Avdylit.

Gazeta Blic merr vesh se prapa kësaj iniciative është edhe Fatmir Memaj, Anton Quni e Ridvan Hoxha, ndonëse këta dy të parët e kanë quajtur një gjë të tillë si spekulim.

Edhe Haziz Hodaj, anëtar i LDK-së ka thënë se portalet po spekulojnë, mirëpo Selajdin Fanaj i ka thënë Gazetës Blic se janë mbledhur një numër i madh i nënshkrimeve kundër Haxhi Avdylit.

Vetë Avdyli ka theksuar se janë njerëzit e dështuar ata të cilët po mundohen që ta shkarkojnë atë, pse ky e ndoqi zërin e elektoratit të kësaj partie. Madje, sipas tij, edhe PDK qëndron pas kësaj pune.

Gazeta Blic do t’ju mbaj të informuar me zhvillimet më të fundit rreth këtij procesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.