Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushteti Lokal, Bajram Gecaj në një postim në Facebook ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri i cili sot në një postim të tijin kishte kritikuar ashpër Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa.
Gecaj në këtë postim e quan Visar Ymerin imitues të liderit të Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes, duke thënë më pas se ai nuk ka nevojë të ja rikujtoje regjimin për të cilit sipas tij kanë punuar i madh e i vogël nga familja e madhe Gecaj.
Lexoni postimin e plotë:
Ky far imituesi i liderit te Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, paska lakuar sot emrin tim në një postim të tijin. Ai thotë se po i “kujtohet shumë mirë koha kur Serbia pretendonte se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë të ardhur nga Shqipëria.” Besoi se këtë kohë e kujtojmë shumë më mirë ne të tjerët se sa ky imitues lideri, pasi që në atë kohë kemi japë mund, djersë e gjak që të largojmë atë regjim nga trojet tona një herë e përgjithmonë. Ky imitues nuk ka nevojë të ma rikujtoi mua regjimin kudër të cilit kemi punuar i madh e i vogël nga familja e madhe Gecaj, familje kjo nga e cila në luftën e fundit kemi pasë dëshmorë të rënë në frontin e luftës, si dhe nga e cila rrjedhë një numër i konsiderueshëm i veteranëve të UÇK-së. Nuk mundem këtu pa e përmendë kohën e nëntëdhjetave, kohë te cilës unë i referohem si periudhë e aparteidit, kur ne në Britaninë e Madhe mundoheshim të jepnim kontributin tonë për të ndihmuar në cilëndo mënyrë popullin tonë të shtypur. Në atë kohë në Londër ekzistonin tri opsione: opsioni i lëvizjes gjithëkombëtare të LDK-së, të cilin e udhëhiqja unë; opsioni i LPK-së, të cilin e udhëhiqte Pleurat Sejdiu; dhe opsioni i tretë, e që përbëhej nga individë të cilët me nga një vath në vesh endeshin poshtë e lartë kafeterive të Londrës, dhe të cilin e përfaqësonte Visar Ymeri. Pra ky imituesi i tanishëm është një patriot shumë i vonuar, pasi që ishte AJO kohë e cila kërkonte sakrifica, e jo KJO e tanishmja, në të cilën tanimë i kemi ngritur institucionet të cilat përkujdesen për interesin e qytetarëve; institucione këto të cilat i sulmon me gjithë atë pezëm ky imitues, por nga të cilat në të njëjtën kohë siguron kafshatën e bukës (bukëpërmbysës). Nuk ka nevojë të më rikujtoi ky imitues mua se cila është rëndësia e bashkëpunimit gjithë-shqiptar, kur në të gjitha trojet shqiptare mund të gjenden eshtrat e të parëve të mi, të cilët luftuan për çlirimin e atyre trojeve. E vetmja gjë të cilën ia thashë gazetarit atë ditë, kur më pyeti, ishte se shtetasit e Shqipërisë të cilët ishin pjesë e Lëvizjes së tyre Anarkiste ishin po aq destruktiv sa ishte destruktive Lëvizja në të cilën ata vepronin. Megjithatë, është mu ky imitues lideri i cili në mënyrë implicite sugjeron se këta shtetas të Shqipërisë “po shkaktojnë trazira,” duke sugjeruar rrjedhimisht se ata ndoshta edhe e përcaktojnë agjendën shkatërruese të kësaj lëvizjeje.
P.S. Mos të më keqkuptojnë të rinjtë të cilët mbajnë vathë, pasi që edhe djali im mbanë një të tillë.