Portali “World Politics Review” publikoi një shkrim mbi zhvillimet e fundit të brendshme në Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare. Ky shkrim fillon me një përshkrim të vizitës së Sekretarit Kerry në Kosovë, siç thuhet në artikull “në një kohë delikate”.
WPR përmbledh në këtë shkrim sfidat në raport me dialogun me Serbinë, pengesat që po i bëhen Kosovës në përfaqësimin ndërkombëtar, zhvillimet politike të brendshme, si dhe përmend edhe problematikën e qytetarëve që po i bashkohen të ashtuquajturit Shtet Islamik.
Ndër të intervistuarit në këtë artikull është edhe, Ministri për Integrim Evropian Bekim Çollaku. Sipas artikullit, Ministri Çollaku mbetet optimist. “Kosova mbetet plotësisht e angazhuar në kursin e saj drejt konsolidimit, zhvillimit dhe përmbushjes së aspiratave euroatlantike ” thotë Çollaku. “Ka momente kur disa çështje sfiduese shfaqen gjatë rrugës, por ne përballemi me to, dhe i kapërcejmë ato”.
Artikulli gjithashtu përmend edhe ngadalësimet në procesin e dialogut, dhe për këtë i referohet edhe qasjes së Serbisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Çollaku duket i relaksuar sa i përket çës htjes së UNESCO-s, duke i thënë WPR se ai ka “besim të plotë” se Kosova do të anëtarësohet herën e ardhshme. Votimi thotë ai, tregoi se Kosova ka “mbështetje të madhe ndërkombëtare”.
Në këtë artikull Çollaku theksoi rëndësinë për Kosovën të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit si për përfitimet në kuadër të procesit të normalizimit, e po ashtu edhe për procesin e anëtarësimit në BE. Joshja e anëtarësimit në BE është faktor i madh shtytës për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë thuhet në artikull, por edhe Çollaku pranon se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit do të jetë e gjatë dhe jo e lehtë. Por MSA ofron një kornizë për përshpejtimin e reformave.
Artikulli flet edhe për sfidën që ndërlidhet me krizën politike në parlament, ndërsa lidhur më këtë Çollaku paralajmëron se qasja e opozitës “rrezikon të dëmtoj seriozisht procesin e integrimit të vendit në BE.”
Çollaku gjithasht u këmbëngul se problemet e Kosovës janë të zakonshme dhe të përafërta me ato të vendeve të Ballkanit, dhe se ato janë duke u adresuar me kohë.
Artikulli përfundon duke nënvizuar se duke qenë që mbështetja publike për anëtarësim në BE është e lartë në Kosovë, do të ketë një shkallë të presionit të brendshëm për reforma, dhe kjo disi e lehtëson pilulën e hidhur të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Më tej, thuhet se përderisa Kosova nuk është një prioritet i lartë për Brukselin edhe për Uashingtonin, prapë se prapë ato kanë disa leva për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes në këtë pjesë të rëndësishme strategjike të Ballkanit.
Linku i artikullit: http://www.worldpoliticsreview.com/articles/17415/from-serbia-spats-to-radicalization-kosovo-faces-a-rocky-road-ahead