Përfaqësuesit e subjekteve politike opozitare në Gjilan kanë bërë me dije përmes një njoftimi për media se i kanë bërë të gjitha përgatitjet ashtu që manifestimi i datës 12 dhjetor të jetë masiv dhe dinjitoz.
“Qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës vazhdimisht i kanë kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Republikën e Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës, është prekur më së shumti nga decentralizimi etnik, për të cilin na thoshin se është kompromisi i dhimbshëm i fundit, e që doli të jetë vecc kaparja për “Zajednicën”. Po ashtu, banorët e kësaj pjesë i kanë parë për së afërmi gabimet e Qeverisë së Kosovës në demarkacionin me Maqedoninë. Prandaj, qytetarët e Anamoravës nuk do të lejojnë që të shumfishohen këto dëme, as përmes “Zajednicës”, e as përmes demarkacionit me Malin e Zi”.
“Marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë, dhe marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, duhet të tërhiqen menjëherë. Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon ta bëj një gjë të tillë, atëherë le t’i hedhë marrëveshjet në referendum, dhe le të vendosë populli i Kosovës për to. Nëse Qeveria nuk guxon as të organizojë referendum, atëherë duhet që vendi menjëherë të shkojë në zgjedhje” thuhet në njoftim për media.
Të shtunën, më 12 dhjetor, në orën 13:00, mbahet protesta e Opozitës në Gjilan.