Lajmet e fundit

EKSKLUZIVE || Ja si dështoi skenari i PDK-së e LDK-së për përjashtimin e opozitës!

Dy partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e fundit të Kuvendit, kur opozita sërish po e pengonte mbajtjen e saj me gaz lotsjellës, kishin gati skenarin që ta përjashtonin opozitën për një kohë të gjatë nga Kuvendi. Sipas këtij skenari, përjashtimi i opozitës do të bëhej përmes ndryshimit të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Në të dyja Grupet Parlamentare, si në atë të PDK-së, ashtu edhe në atë të LDK-së, ishte diskutuar për ndryshimin e kësaj rregulloreje”, i ka thënë gazetës Blic një deputet i koalicionit, në kushte anonimiteti, i cili ishte prezent në mbledhjen e GP.

“Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri na propozoi këtë ide, mirëpo disa nga deputetët filluan kundërshtimin e një ideje të tillë. Ata deputetë që e kundërshtuan, theksuan se një gjë e tillë do të ishte kundërkushtetuese. Duke i parë këto kundërshtime, filluan që të tërhiqen nga një skenar i tillë”, ka theksuar ky burim.

Përpos disa deputetëve në LDK-së, të cilët ishin kundër një ndryshimi të tillë, edhe në PDK kishte deputetë që do ta kundërshtonin një ndryshim të tillë.

“Megjithatë, dy partitë politike nuk ishte se mërziteshin se po bënin shkelje të Kushtetutës, por kishin frikë se nuk do t’i kishin 2/3 e votave për ta bërë një gjë të tillë. Për ta bërë këtë ndryshim të Rregullores së Punës së Kuvendit, përmes së cilës do të përjashtohet opozita, nevojiteshin 80 vota, gjë që atë ditë koalicioni nuk i kishte të sigurta, dhe kjo ishte arsyeja pse erdhi deri te heqja dorë nga një kërkesë e tillë”, tha ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, si kompromis u arritë që të suspendoheshin për atë ditë deputetët e opozitës.

“Ky ndryshim do të zgjaste për aq kohë, sa opozita të hiqte dorë nga përdorimi i gazit lotsjellës dhe lejimin e funksionimit normal të Kuvendit”, ka theksuar ky deputet.

Sidoqoftë, në seancën e 30 nëntorit, ku pati edhe arrestime të deputetëve, përpos që kishte propozime të grupeve parlamentare, edhe Kryesia e Kuvendit e kishte shqyrtuar mundësinë që deputetët opozitarë të përjashtohen për një kohë të gjatë. Megjithatë, vendim u morë që opozita të suspendohej vetëm për seancën e 30 nëntorit, ku Kuvendi atë ditë kishte 35 pika të rendit të ditës.

Opozita tash e sa muaj është duke u munduar që të pengoj mbajtjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, për faktin që po e konsideron si të dëmshme marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë për çështjen e Asociacionit të Komunave dhe atë me Malin e Zi për çështjen e shënjimit të vijës kufitare.

Kryesia e Kuvendit pavarësisht përpjekjeve të opozitës që të pengoj mbajtjen e seancave të Kuvendit, për ditën e hënë e ka paraparë mbajtjen edhe të një seance të Kuvendit. Partitë opozitare e kanë quajtur mbajtjen e kësaj seance si provokim, derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka theksuar se sërish do të pengojnë mbajtjen e saj.

Për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës, hiq më pak se 8 deputetë të opozitës gjenden në paraburgim dhe në arrest shtëpiak.

Leave a Reply

Your email address will not be published.