Për një moment dritaret u mbushen me njerëz. Si të trembur shikojnë jashtë për mysafirin e radhës. Kur një i panjohur futet në oborrin e kampit të refugjatëve në Korb që ndodhet 16 km larg Shturgadit, kureshtja dhe pasiguria e banorëve aty rritet. Azilantët kosovarë, por edhe të tjerët, kanë frikë se mbase mund të të jetë ndonjë zyrtar shtetëror që ka ardhur t’u thotë se koha e qëndrimit të tyre në shtetin gjerman ka përfunduar, raporton Magazina.al. Qetësohen kur marrin vesh se një gazetar nga Kosova ka ardhur t’i vizitojë dhe aty, në kuzhinën e përbashkët të kampit, fillon muhabeti. Secili prej tyre ka rrëfimet nga më të ndryshmet për rrugëtimin drejt Gjermanisë.Biseda shoqërohet fare mirë me cigaren dhe cajin e rusit që kosovarët i “ndjek” edhe larg vendlindjes. Edhe traditat janë po ato të njejtat; mikëpritje, zemërgjerësi e muhabet me ato mundësitë që kanë. E tillë është familja e Xhemajl Ollurit nga Krojmiri i Lipjanit.
Xhemajli me bashkëshorten Sahadeten
Kjo familje tre anëtarëshe është në mesin e 9 tjerave që në tërësi përbëjnë numrin e më shumë se 70 personave që jetojnë në këtë kamp ndërtuar nga shteti gjerman enkas për të pritur refugjatë.
Nuk ankohet për kushtet aty ku jetojnë. Xhemajli që jeton më gruan Sahadetin dhe Djalin Bleonin, ka fjalët më të mira për mënyrën se si janë trajtuar deri tash nga shteti gjerman. Komuna e Waiblingenit, ndan për secilin azilantë nga 350 euro në muaj, ndërkohë jeta brenda kampit ofron kushte optimale. Por brenga e burrit nga Krojimiri është e ardhmja e familjes që ka dëshirë ta lidh gjithsesi me Gjermaninë.
Xhemajli la Kosovën vitin që shkoi me shpresën se një jetë më të mirë do ta gjej këtu ku para një kohe kishte jetuar. Por pas luftes ishte kthyer në Kosovë për ta marrë sërish rrugën drejt Gjermanisë, përmes Hungarisë, sikur shumë kosovarë të tjerë.
Bleoni 7 vjecar me kupen që ka fituar në futboll
E ardhmja e djalit të tij 7 vjecar, Bleonit, që ka befasuar për të mirë mësuesit gjermanë, e detyron Xhemajlin që ta bëjë të pamunduren vetëm të mbes në këtë shtet. Ai ka frikë ta rris fëmijën në fshatin e tij të Lindjes në Krojmir. Nga ky vend disa të rinjë i janë bashkuar ISIS-it, kurse njëri prej tyre është vrarë në Siri. Idelogjinë e luftës së shenjtë, sic thotë Xhemajli, këta të rinjë nisën ta përhapin edhe në fshat. Një grua rome nga Maqedonia
Biseda e Xhemajlit, me Magazina.al ndërpritet herë pas here nga banorë tjerë që futet në kuzhinën e përbashkët për t’i kryer punët e tyre. Shumë janë nga Kosova por ka edhe Shqipëria, Maqedonia e Bosnja. Janë të nacionaliteteve të ndryshme por halli i njejtë i ka bërë bashkë. Kalojnë mes vete sikur të jenë anëtarë të një familje. Dhomat e fjetjes i kanë të vecanta kurse të përbashkët e kanë kuzhinën dhe banjot.Një kat më lart, janë vendosur azilantë ta ardhur nga vatrat e luftës dhe shtetet ku jeta e njeriut vlenë fare pak sic është; Siria, Iraku, Algjeria, Gambia etj.
Pasiguria në shtetin e tij e ka detyruar edhe Behlun Amine të emigrojë nga Algjeria në Gjermani, raporton Magazina.al. Ka mësuar disa fjalë gjermanisht, aty këtu ndonjë anglisht por vështirë të merret vesh se cka thotë. Megjithatë është lehtë e kuptueshme arsyeja e ikjes së këtij të riu katolik nga një shtet ku 99 për qind e banorëve janë mysliman e që përballet me sulme nga ekstremistët islamik. Behlun Amine të emigrojë nga Algjeria
Amine por edhe banorët tjerë që jetojnë në të njejtin kat me algjerinanin i kanë gjasat më të mëdha për ta fituar azilin sesa kosovarët.
Për dallim prej shteteve të tyre, Kosova cilësohet si vend i sigurtë. Por vetëm siguria nuk i mjafton Xhemajlit që ai ta mendojë kthimin në vendlindje. Ai thotë se më dëshirë të kthehet në Kosovë, por pasi të jetë bindur se në vendin e tij është bërë mirë e jo të jetë ashtu sic e ka lënë. “Sa herë flas me njerëzit e mi në Kosovë, më thonë mos u kthe”, thotë i dëshpëruar Xhemajli për Magazina.al. Korridori në kamp
Ne u larguam nga kampi me lutjen që në kushte normale nuk do duhet t’ia dëshironin askujt, por që rrethanat e diktonin atë. “Shpresojmë të mos ktheheni në vendlindje”. Por kjo lutje nuk e ndryshon disponimin e azilantëve kosovarë. Ata cdo ditë presin lajme që u vijnë, dhe shpresojnë se ai për ktjhimin e tyre, të vonohet të paktën për një kohë më të gjatë.