Prokuroria Speciale i ka dhënë fund dilemës nëse ISIS kishte për qëllim helmimin e ujit në Liqenin e Badovcit.
Pas gati gjashtë muajsh hetime, Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ka arritur në përfundimin se në afërsi të liqenit të Badovcit nuk pati helm dhe “qëllimi i vetëm i grupit terrorist ishte që të lexonin një deklaratë betimi për organizatën terroriste ISIS”.
Në aktakuzën me 26 faqe në asnjë vend nuk përmendet se te të arrestuarit është gjetur ndonjë helm apo nëse ata kanë pasur për qëllim helmimin e ujit.
Mëngjesin e 11 korrikut Policia e Kosovës njoftoi se në afërsi të Liqenit të Badovcit kishte arrestuar disa persona të dyshuar për terrorizëm.
Arrestimi i tyre ngriti dyshime për helmimin e ujit në njërin nga basenët kryesorë prej nga Prishtina furnizohet me ujë të pijshëm.
Pak orë pas këtyre informacioneve, Kompania e Ujësjellësit kishte njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për kryeqytetin nga liqeni i Badovcit deri në përfundimin e analizave nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Pas kërcënimeve për sulme terroriste liqeni ishte vënë nënë mbikëqyrjen 24 orësh të policisë e cila nisi të patrullojë edhe me varkë në këtë liqe.
Gati gjashtë muaj pas kësaj ngjarje, Prokuroria Speciale e ka dorëzuar aktakuzën ndaj gjashtë të arrestuarve.
Në dokumentin prej 26 faqesh i cili do të lexohet në seancën gjyqësore të paraparë të mbahet më 23 dhjetor, ndër të tjera sqarohen pretendimet e prokurorisë se të pandehurit Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Betim Ibërdemaj, Milazim Haxhiaj dhe Enis Latifi kanë kryer veprën penale të përgatitjes së veprës penale terroriste.
Aktakuza sqaron se pesë të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit me qëllim që të incizojnë një video propaganduese në të cilën kanë pasur për qëllim ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS.
Grupi, sipas prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojnë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit Shtetit Islamik në Republikën e Kosovës, thuhet në aktakuzë.
Për ta realizuar videon, sipas aktakuzës, të pandehurit ishin pajisur me një kallashnikov dhe pesë karikatorë, uniforma ushtarake, maska si dhe një flamur të organizatës ISIS.
Pjesë e aktakuzës është edhe Fehmi Musa i cili akuzohet për ndihmë në terrorizëm pasi natën e arrestimit i kishte transportuar dy nga të pandehurit nga liqeni i Badovcit për në fshatin Hajvali dhe më pas në qytetin e Istogut.
Në aktakuzë, prokuroria pretendon se ka zbuluar edhe betimin të cilin të dyshuarit për terrorizëm do ta lexonin afër liqenit.
Teksti i shkruar në gjuhën arabe përmban zotimin për dëgjueshmëri dhe zbatueshmëri ndaj urdhrave të luftëtarit të fesë Ebu Bekir Al Husejn El Kurejshi El Bagdati.
“Do jem i përpiktë dhe i saktë sipas Sheriatit në falje (nëse është nevoja) dhe në raste të pafajësisë në atë që nga Allahu i madhërishëm nga vjen argument: për këtë që po deklaroj dëshmitarë e kam ALLAHUN”, thuhet në tekstin e betimit.
Nga hetimet e prokurorisë rezultoi se të pandehurit nuk kishin arritur ta filmonin mesazhin e tyre pasi ishin vërejtur nga rojat e liqenit të cilët më pas kishin njoftuar policinë.
Pretendimet e prokurorisë dhe deklaratat e të pandehurve rreth akuzës do jenë pjesë e një procesi gjyqësor i cili do të nisë më 23 dhjetor në Gjykatën Themelore të Prishtinës.