EULEX konfirmon një operacion në Prishtinë, por nuk pranon të flasë për detaje. Rasti thuhet se ka të bëjë me zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në rastin e “Grupit të Drenicës”.
Pjesëtarë të EULEX’it kanë bastisur sot në mëngjes zyrat ku ushtron veprimtarinë kompania e gazetarit kosovar Milaim Zeka, në qendër të Prishtinës. Zyrtarë të EULEX’it kanë konfirmuar për një operacion që është duke u zhvilluar në Prishtinë, por nuk kanë pranuar të flasin për detaje të tij.
“Ajo çka mund të konfirmoj është se një operacion po zhvillohet në Prishtinë sot, por nuk mund të flas për detaje në këtë moment”, ka thënë Zëdhënësi i EULEX’it, Anne Blanksma Ceta.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se arsye e bastisjes së zyrave të tij është publikimi i mëhershëm i identitetit të një dëshmitari të mbrojtur në një nga emisionet e tij lidhur me rastin e “Grupit të Drenicës”, raporton Zëri.
Megjithatë, Zëdhënësi i EULEX’it nuk ka pranuar të flasë edhe nëse operacioni ka të bëjë me këtë çështje. Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me gazetarin Milaim Zeka, por kjo ka qenë e pamundur deri tash.