Mjekët e Ushtrisë Britanike janë nderuar në një ceremoni të veçantë nga vetë Princi William, Duka i Kembrixh.
Të gjithë këta mjekë morën pjesë në një luftë të egër, jo në shesh betejë me armikun por në luftë me sëmundjen e Ebolës, që pushtoi vitin e shkuar Sierra Leonen dhe në mbarë Afrikën duke shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve të prekur.
Këta mjekë kanë qëndruar 6 muaj atje, për të dhënë kontributin e tyre në mënyrë vullnetare.
William prezantoi publikisht medaljet për ekipin e 160 mjekëve të ushtrisë angleze.
Kjo është medalja e parë që jepet ndaj një mjeku apo ushtari, për shërbim në kohë krize humanitare.
“Ne jemi mësuar të punojmë në Afganistan. Të përjetojmë trauma dhe drama të forta. Ndaj kjo ishte një mënyrë e re e të punuarit. Ndryshe nga puna e shpejtë në Afganistan, këtë herë situata ishte ndryshe, na u desh të punonim ngadalë dhe të kujdeseshim për ata njerëz” tha rreshterja Deborah McKee.
Mjekët ishin në dispozicion të njerëzve të prekur nga epidemia e Ebolas, ata formuan në Sierra Leone një njësi, e cila kujdesej për shëndetin e banorëve.
Ata dërguan atje edhe 700 shtretër për të sëmurët, të financuara nga qeveria e Britanisë së Madhe.