Partia Demokratike ka festuar këtë të premte 25-vjetorin e themelimit të saj, në një event ku të pranishëm kanë qenë liderët dhe eksponentët historikë të saj, si dhe ata të rinj dhe mbështetës.
Kryetari historik i PD, Sali Berisha shprehu mirënjohjen e tij për themeluesit e saj, ndërsa bëri edhe një ekspoze të arritjeve që PD shënoi gjatë qeverisjes së fundit 8-vjeçare.
“Mirënjohje të thellë Azem Hajdarit, intelektualëve të Tiranës dhe studentëve që 25 vjet më parë i nxorrën shqiptarët nga mbretëria e terrorit dhe themeluan pluralizmin politik dhe PD-në”, tha Berisha.
“Në 8 vjet, ne i nxorrëm shqiptarët nga mjerimi, e integruam Shqipërinë në NATO, në Këshillin e Europës dhe e bëmë kandidate për anëtarësim në BE. Ju garantoj se do të vazhdoj angazhimin tim të përjetshëm për të vazhduar më tej”, theksoi Berisha.
Por të gjitha këto arritje, sipas ish-kryeministrit, janë zhbërë në këto 2 vjet qeverisjeje të PS, e cila sipas tij “duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike”.
“Sot jemi 25 herë më të fuqishëm e më të gjallë për të mbrojtur liritë tona dhe qënien tonë. Ndaj thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit. Ky vrasës i shpresës duhet të marrë atë që meriton, fundin. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike. Të qerrojmë sa më parë këtë klikë që po shkakton largimin e shqiptarëve”, tha Berisha.