Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar liderin e LDK-së, Isa Mustafa, duke thënë se ai vetëm pasi i pa rezultatet për Prishtinën, nga 4 nëntori po mundohet t’i viziton lagjet dhe fshatrat e Prishtinës dhe të dërgon ekipe punuese në ato vende duke u bërë sikur po interesohet për ta.
Sejdiu ka thënë se programi i Lëvizjes Vetëvendosje është alternativa që sjell ndryshime në qeverisjen e Prishtinës dhe alternativë, e cila e kthen qytetin në funksion të qytetarit dhe për qytetarin.
“Fakti se kundër kandidati Mustafa, nuk ka dalë mirë me rezultate në Prishtinë e ka shtyrë atë dhe ekipin e tij të shpërfaq agresivitet duke u munduar që gjashtë vite injorim të lagjeve dhe fshatrave në Prishtinë t’i mbuloj me një muaj harrnim. Dhe këtë harrnim ta filloj çuditërisht më datën 4 nëntor, pra fill pas realizimit të ndryshimit në Prishtinë që ka ndodh dhe po ndodh çdo ditë”, ka shtuar Sejdiu.
Ai ka bërë me dije se edhe pse Vetëvendosja më 3 nëntor ka angazhuar mbi 1 mijë mbikëqyrës për ta mbrojtur votën, sërish do të angazhojë edhe më shumë mbikëqyrës që më 1 dhjetor të fiton ndryshimi për Prishtinën dhe vota e lirë.
“Ne i bëjmë thirrje kundërkandidatit Mustafa dhe ekipit të tij që të përmbahen dhe fushata të jetë e përqendruar në debate mes kandidatëve ku në këto debate shpalosen programet dhe idetë sepse siç po shihet tani çdo plan tjetër po ju dështon.
Vetëvendosje është mirë e organizuar dhe e gatshme që sikur më datë 3 nëntor po ashtu edhe ditëve të ardhshme e deri në ditën e zgjedhjeve të jenë në mbrojtje të të drejtës për të zgjedhur lirë”, ka pohuar Sejdiu, raporton KP.
Ndryshe, Sejdiu edhe një herë ka bërë me dije se nuk do të kenë koalicion me asnjë parti tjetër.