Lajmet e fundit

Nëntë problemet e Universitetit të Prishtinës

Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka marrë një varg kritikash nga ekspertë të kësaj fushe. Ata kanë evidentuar 9 probleme, me të cilat përballet aktualisht Universiteti i Prishtinës.

Mësimdhënia jo e rregullt, personeli i pakualifikuar, mospërputhja e programeve studimore me tregun e punës, mungesa e mekanizmave efektiv për sigurimin e cilësisë, plagjiatura e punimeve të diplomave, janë vetëm disa nga problemet që thuhet se po e përcjellin arsimin e lartë në Kosovë.

Se gjendja në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruara, pajtohet edhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami.

Ai thekson se Universiteti i Prishtinës mund të ketë edhe më shumë se nëntë probleme, me të cilat ballafaqohet, por, që sipas tij, problemi kryesor është cilësia e dobët.

“Problemi kryesor në Universitetin e Prishtinës, është cilësia e dobët e mësimdhënies. Po tregoj disa elemente pse është e dobët. Akoma metodat e mësimdhënies nuk janë të trendit, nuk janë praktike dhe nuk janë të dobishme për studentët tanë”.

“Kemi profesorë të shkëlqyeshëm, sidomos profesorë që vijnë nga universitetet ndërkombëtare, tëcilët përpos që kanë sjellë njohuritë e veta, kanë bërë një revolucion duke sjellë metoda të reja, por akoma metodat e mësimdhënies në Kosovë janë klasike, janë të vjetra”, thekson ministri Bajrami.

Dyshime për cilësinë e dobët të mësimdhënies ka edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

“Është e dhimbshme, në një emision që është në formë kuisi, në njërin nga Universitetit Publike të Kosovës, derisa moderatori e pyet studenten se çfarë mesatare e ke në studime, ajo deklarohet se e ka mesataren e 9.68.Dhe, në pyetjet që i shtron nga matematika dhe e pyet se sa është A/A apo A+A dhe studentja në asnjërën nuk di të përgjigjet, derisa nota mesatare 9.68 e ben studente brilante përkrah numrat, por a është vlerësuar ai student apo vetëm i është vendosur një numër aty”, tregon Zejnullahu.

Si problematikë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë, rektori Zejnullahu thekson edhe personelin e pakët akademik në raport me studentët.

Ai ka thënë se me këtë personel vështirë se mund të arrihen rezultatet e duhura.

Në Universitetin e Prishtinës, raporti i personelit akademik për student, është 1 profesor me 52 studentë, derisa ky raport në Shqipëri është 1 me 24, në Serbi 1 me 23, në Maqedoni 1 me 17, dhe në Kroaci 1 me 9.

Për të gjitha këto probleme në Universitetin e Prishtinës kërkohen referoma, që sipas Arsim Bajramit, ministër i Arsimit, janë të domosdoshme dhe kjo mund të bëhet, vetëm se duhet konsensus shoqëror dhe shtetëror.

“Ky konsensus duhet të ndërtohet tani në Kosovë dhe nuk kemi kohë të humbim asnjë ditë. Unë, si ministër, po punoj me tërë kapacitetin tim që t’i vetëdijesoj të gjithë që mbështetja për Universitetin, nuk është mbështetje për individin, por është për një institucion, i cili krijon një stabilitet të përgjithshëm shoqëror, social dhe politik”.

“Ne duhet të vetëdijesohemi që universiteti të mos përdoret si trampolinë për arritjen e efekteve politike të kujtdoqoftë”, thotë Bajrami.

Hulumtimi i ekspertëve të arsimit vë në pah se Universiteti i Prishtinës është parë nga elitat politike si burim i rekrutimit për aktivistët dhe si një makinë efikase për të marrë diploma akademike për të ngritur statusin shoqëror, për të siguruar pensione jetësore pas veprimtarisë politike dhe si mundësi për të përmirësuar rezultatet zgjedhore.

Dukagjin Popovci, njëri nga ekspertët e arsimit që ka përgatitur hulumtimin e titulluar “Reformimi i Universitetit të Prishtinës – mision i mundur”, ka treguar se gjatë hulumtimit, janë parë mangësi të mëdha në Universitetin e Prishtinës.

Njëra nga mangësitë e cekur në këtë studim ka qenë edhe plagjiatura, si një formë e mashtrimit në universitet dhe veçanërisht e pranishme te shkrimi i punimeve të diplomës.

Shumë shpesh, punimet e diplomës të studentëve thuhet se janë plagjiat nga librat apo punimet e paraqitura në vitet e mëparshme, e nganjëherë ato as që janë të shkruara nga vetë studentët.

Derisa, si një problem mjaft i theksuar, tregon Popovci për Radion Evropa e Lirë, është paraqitur kopjimi, ku afër 80 për qind e studentëve të anketuar, kanë deklaruar se kopjojnë gjatë provimit.

“Në përgjithësi, dukuria e mashtrimit dhe kopjimit mendoj se është, në një mënyrë, problem i nivelit të ulët të vetëdijes shoqërore në përgjithësi, për dëmin që shkakton kjo dukuri, sepse kopjimi dhe mashtrimi nuk fillojnë në universitet dhe nuk fillojnë me punimet e diplomës, por fillojnë qysh më herët”.

“Ne e dimë që fëmijët qysh në shkollën fillore dhe të mesme kopjojnë dhe kjo është arsyeja se pse kemi dyshime serioze në besueshmërinë e testeve kombëtare, siç janë testi i arritshmërisë dhe maturës, dhe kjo pastaj vazhdon edhe në universitet”, thekson Popovci.

Për ta eliminuar këtë dukuri, shton Popovci, profesorët nuk duhet ta bazojnë vlerësimin tyre vetëm në teste, por edhe në metoda të tjera, të cilat kopjimin e bëjnë të pakuptimtë.

Në anën tjetër, Halim Hyseni, ekspert i çështjeve të arsimit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, gjendjen në sistemin e arsimit të lartë e vlerëson alarmante.

Ai konsideron se për t’i eliminuar këto probleme që ka Universiteti, duhet të krijohen mekanizma adekuat.

“Nëse duhet të ketë cilësi të mirë të arsimit, ajo duhet të jetë në Universitetin e Prishtinës. Unë jam qind për qind i bindur që nëse në UP është kjo gjendje me cilësi të ulët të mësimdhënies, në kolegjet private dhe në universitetet tjera publike të hapura, kjo gjendje është edhe më e keqe”, deklaron Hyseni.

Sistemi i arsimit në Kosovë, edhe në raporte të shumta të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, ishte kritikuar se është në nivel jo të dëshiruar.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit.

Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar nga 40 mijë në 120 mijë.

Sot, Kosova është e para në Evropë me 6.669 studentë në 100 mijë banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 3.987.

Leave a Reply

Your email address will not be published.