Folklori muzikor shqiptar është shumë i lashtë dhe shumë i pasur. Mbledhësit dhe interpretuesit e këngës folklorike – rapsodët – janë më meritorët për ruajtjen e këtij thesari popullor, brez pas brezi.
Rapsodët në pullë postare3Dervish Shama u lind në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912. Ishte rapsod i shquar popullor dhe i njohur në të gjitha trevat shqiptare. Për shkaqe politike, në vitin 1956, detyrohet ta braktisë Kosovën, për të cilën thur vargje deri në fund të jetës. Shquhet për mënyrën e shprehjes së dhimbjes dhe mallit që kishte për familjen dhe vendlindjen, e që për të ishin të ndaluara.
Me një mjeshtri të jashtëzakonshme, përmes vargjeve e këngëve të përcjella me çifteli, përshkruan kullat e gurit në Dukagjin, figurat kombëtare të patrioteve të devotshëm, trimave, luftëtarëve të atdheut.
Rapsodët në pullë postare2Salih Krasniqi u lind më 1919 në Drenovc të Malishevës. Rreth gjysmëshekulli këndoi një numër të madh baladash, këngësh epike legjendare, këngë historike të ashtuquajtura “kang të oxhakut”, këngë lirike të traditës së vjetër dhe posaçërisht këngë të dashurisë të ashtuquajtura “kang të ashikisë”. Ishte njohës i mirë i të gjitha stileve të trevave dhe zonave etnografike të mbarë Kosovës.
Rapsodët në pullë postare1Qamili i Vogël u lind më 1923 në Gjakovë. Ishte i njohur si njëri nga këngëtarët më të mirë të muzikës popullore qytetare të kënduar në Gjakovë. I frymëzuar që nga rinia me muzikën tiranase, ai u kthye në Kosovë dhe së bashku me Ymer Rizën themeloi Shoqërinë Kulturo-Artistike. Gjatë veprimtarisë së tij, Qamili i Vogël ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë. Këngët e tij u kanë rezistuar kohës dhe janë burim frymëzimi edhe për gjeneratat e reja