Për zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij, partia më e madhe opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për të dënuar atë që e quajtën “uzurpim të Kuvendit dhe arrestimet politike që po kryhen ndaj deputetëve të opozitës”.
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Driton Çaushi ka deklaruar se ajo që ka ndodhur dje në Parlamentin e Kosovës nuk ka qenë gjë tjetër veç se një mbledhje e paligjshme dhe se Qeveria me veprimet e saj po dëshmon se ka uzurpuar Kuvendi dhe ka kthyer vendin në një shtet policor.
Çaushi që i bëri këto komente në një konferencë në selinë e Vetëvendosjes së bashku me deputeten Shqipe Pantina deklaroi se ajo çfarë është parë gjatë seancës se nuk ishte asgjë më shumë se sa një mbledhje e paligjshme e strukturave të PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe.
E arrestimet e deputetëve dhe aktivistëve të subjekteve opozitare sipas numrit dy në Vetëvendosje janë në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Kosovës.
Çaushi: Do të kundërshtojmë marrëveshjet deri në deputetin e aktivistin e fundit
“ Ne siç e kemi bërë me dije do të vazhdojmë këtë kundërshtim. Ajo që deputetët e opozitës kanë bërë dje është në përputhje të plotë me betimin tyre dhe me detyra e tyre në mbrojtje të sovraniteti të Republikës dhe në kundërshtim të këtyre dy marrëveshjeve. Deputetët e opozitës do të vazhdojnë të njëjtat veprime deri në deputetin e fundit dhe aktivistin e fundit, pa asnjë hezitim gjithmonë në mbrojte të Republikës”, tha Çaushi.
Ndërsa deputetja Shqipe Pantina foli për atë siç e quajti ajo ngutinë për të emëruar sa më parë anëtarët e bordit të AKP-së. Pantina deklaroi që kryeministri Mustafa po dëshiron të gllabërojë çdo bord të pavarur.
Pantina: Shkeljet e qeverisë po vazhdojnë me qëllim për të gllabëruar çdo institucion të pavarur
“Ata ishin në gjendje siç tha Mustafa i këshilluar nga këshilltarët e tij juridik që brenda dy orësh të bënin shkeljet më të mëdha ligjore duke miratuar gjoja ligjin i cili ende pa u nënshkruar, dekretuar nga presidentja dhe pa u shpallur në gazetën zyrtare menjëherë donin t’i emëronin anëtarët nëpër borde të institucioneve më të rëndësishme e të cilat ende kanë qenë të paplotësuar. Ajo çka bënë është ndarja kryekëput politike, emërimi kryekëput politike i njerëzve politik nëpër këto borde, bile pa i plotësuar edhe kriteret profesionale. Shkeljet e tyre po vazhdojnë me qëllimin për të gllabëruar sa më shumë pushtet në ato institucione të cilat janë të pavarura e për të cilat Isa Mustafa po ngutet ta merr hisen e tij, ta ndaj atë me PDK-në dhe Listës Srbska”, tha Pantina
Ndërsa Çaushi kërkoi që të lirohen sa më parë deputetët dhe aktivistët e opozitës, të cilët i quajti si të burgosur politik.
E për raportimin e presidentes Atifete Jahjaga që pritet ta mbajë para deputet ëve të enjten, Pantina deklaroi se ende nuk është marrë vendim nga ana e opozitës për këtë seancë edhe pse ata do të protestojnë edhe për punën e saj, pasi që ajo nuk është treguar e paanshme në punën e saj.
Pantina: Do të protestojmë edhe karshi punës së presidentes Jahjaga
“ Presidentja nuk është treguar ashtu siç përcaktohet Me Kushtetutë të jetë unifikuese e popullit dhe të jetë e paanshme në gjykimet e saj. Disa herë ajo ka gjykuar gjoja opozitën për veprimet në Kuvend, por asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë qëndrim për shkeljet e vazhdueshme që i bënë koalicioni qoftë duke filluar nga shkeljet kushtetuese. Ende nuk është marrë një vendim se si do të reagohet në seancën kur ajo do të raportojë, por ne do të protestojmë edhe karshi punës së saj”, deklaroi Pantina.
E sipas nënkryetarit të VV-së qëllimi i kundërshtim të opozitës nuk janë zgjedhjet por anulimi i dy marrëveshjeve atë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe atë të demarkacionit dhe se për opozitën zgjedhjet janë opsioni i fundit të cilët opozita e ka përmendur si njëra ndër rrugëzgjidhjet e krizës politike në vend.