Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Evropian, i cili ka konsideruar se edhe përkundër shumë përparimeve që ka shënuar Kosova në implementimin e kritereve, ajo nuk ka marrë një rekomandim pozitiv, sa i takon liberalizimit të vizave.
Ahmeti në një postim në Facebook ka shkruar se ndonëse është kundërshtar i qeverisë, megjithatë nuk i është gëzuar vendimit për mosliberalizimin e vizave.
Lexoni postimin e plotë të Ahmetit:
Edhe pse kundërshtar i kësaj qeverie, nuk gëzohem fare për mosliberalizimin e vizave.
Përkundër të gjitha koncesioneve që i bëri Kosova, ky liberalizim nuk erdhi. Siç ka thënë shumë herë Augustin Palokaj, vendimi për liberalizimin e vizave merret nga Ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve evropiane të cilët e dinë që vetëm sivjet mbi 50 mijë kosovar kanë lëshuar vendin e tyre.
Ata e dinë që zhvillimi ekonomik nuk ka ndodhë. Ata e dinë që korrupsioni është në nivel të lartë. Ata e dinë që në udhëheqjen tonë ka shumë dallaverxhi.
Së paku kjo gënjeshtër hiqet nga agjenda edhe një vit.