Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni mbajti takim me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të akredituar në Prishtinë. Në këtë takim, u diskutua rreth liberalizimit të vizave, përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe migrimit ilegal, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
Ministri Hyseni i ftuar nga shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar në përmbushjen e objektivave për liberalizim të vizave dhe se deri më tani janë përmbushur një numër i tyre.
“Tashmë është vënë nën kontroll çështja e migrimit ilegal të kosovarëve dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të adresojë në afat të gjatë shkaqet e migrimit. Kosova nuk duhet të mbetet vend i vetëm i izoluar, dhe liberalizimi i i vizave është në dobi të qytetarëve të vendit”, tha ministri Hyseni.