Lajmet e fundit
Balotazhi, garë më e “nxehtë”

Balotazhi, garë më e “nxehtë”

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të bëjnë fushatë të qetë. Ajo ka thënë se pret që në fushatën pesëditore të balotazhit të mos ketë ashpërsim të fjalorit politik.“Nga të gjitha subjektet politike që marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve të 1 dhjetorit, kërkoj të sillen në bazë të rregullave zgjedhore dhe ligjit mbi zgjedhjet”, ka deklaruar Daka për “Epokën e re”.

Ajo ka shtuar se mesazhi i saj është që edhe kjo fushatë të jetë e qetë sikurse ajo e 3 nëntorit. “Shpresoj se partitë politike do ta respektojnë fushatën dhe do të sillen në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale. Nuk besoj se do të ketë ashpërsim të fjalorit politik”, ka thënë Daka.

Edhe njohësi i proceseve zgjedhore, Adnan Merovci, ka thënë se në fushatën e balotazhit nuk pritet të ketë ashpërsim të diskursit politik.

“Nuk besoj se do të ketë ashpërsim të fjalorit politik. Mendoj se kandidatët dhe subjektet që i përfaqësojnë, si rrjedhim i koalicioneve të ndryshme, nuk reflektohen domosdoshmërisht në fjalorin e fushatës. Kryesisht fjalorin e manifestojnë vetë kandidatët dhe nuk pres implikim të të tjerëve, përveç liderëve të partive përkatëse dhe të koalicionit të cilët në tubimet përmbyllëse, siç është bërë zakon, do t’i ftojnë votuesit t’i votojnë kandidatët e tyre”, ka thënë Merovci për “Epokën e re”.

Duke u nisur nga fushata e raundit të parë, Merovci ka thënë se edhe për balotazh pret një fushatë pak a shumë të njëjtë. Në këtë kontekst, ai ka thënë se fushata në balotazh duhet të jetë e fokusuar në çështje konkrete sepse tashmë gara bëhet në mes të dy kandidatëve ku fitues do të jetë njëri prej tyre.

“De fakto”, fushata nuk është ndalur fare nga raundi i parë, edhe pse “de jure” ajo fillon 6 ditë para ditës së zgjedhjeve. Fushata zyrtare manifestohet me produkte reklamuese me dhe pa pagesë nëpër mediet, kryesisht elektronike. Fushata në balotazh duhet të jetë e fokusuar në çështje konkrete sepse gara bëhet në mes dy kandidatëve, ku fitues do të jetë njëri nga ta. Duke u nisur nga fushata e raundit të parë, edhe për balotazh pres fushatë pak a shumë të njëjtë”, është shprehur Merovci.

Për dallim nga Daka e Merovci, njohësi i proceseve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se fushata e balotazhit do të jetë më e ashpër.“Ma merr mendja se fushata për balotazh do të jetë më e ashpër, duke pasur parasysh tash faktin se janë vetëm dy kandidatë dhe normalisht se nuk kanë për të zgjedhur arsenal të akuzave dhe të denigrimit që kanë për të pasur ndaj njëri-tjetrit në mënyrë që të fitojë sa më shumë vota. Fushata do të jetë më e ashpër, sidomos në komunat që janë shumë të rëndësishme për partitë kryesore në vend. Në ato komuna ku më 3 nëntor kanë fituar më shumë vota kandidatët që nuk e kanë pasur pushtetin mendoj se do të jetë fushata më e ashpër”, ka thënë Mushkolaj për “Epokën e re”.

Pavarësisht koalicioneve të arritura, Mushkolaj ka thënë se rezultati i 3 nëntorit është rezultat real. “Kemi parë që pas 3 nëntorit janë bërë shumë koalicione. Mund të them koalicione të interesave shumë të ngushta të personave në ato komunat që provojnë ta marrin ndonjë pozitë në qeverisjen komunale. Pavarësisht koalicioneve, mendoj se votuesit nuk do t’i dëgjojnë shumë liderët e tyre lokalë apo qendror. Kështu që, për mua rezultati real është ai i 3 nëntorit”, ka deklaruar Mushkolaj, duke shtuar se çfarëdo që ndodh në prag të zgjedhjeve të 1 dhjetorit është më shumë vetëm koalicion i interesave personale, e jo koalicion parimor.

“Prandaj rezultati i 3 nëntorit është real dhe nuk kisha dashur të ketë përmbysje të rezultatit për shkak se qytetarët e komunave përkatëse vullnetin e tyre e kanë treguar më 3 nëntor”, ka vlerësuar Mushkolaj

Leave a Reply

Your email address will not be published.