Lajmet e fundit

Adil Olluri promovon romanin e tij të parë

Pas librit studimor “Romani postmodern shqiptar”, botuar pak muaj më parë nga shtëpia botuese UET-PRESS, autori nga Kosova, Adil Olluri sapo ka promovuar romanin e tij të parë “Bartësi i shpirtrave të përzënë”.

Për romanin e Adil Ollurit kanë folur Gëzim Aliu e Virion Graçi, ku ky i fundit ka vlerësuar se ky roman nuk është sprovë pikënisjeje, por është një arritje e madhe, një fakt letraro-kulturor jo vetëm në jetën e autorit, por sipas Graçit edhe për letërsinë bashkëkohore shqipe.

Gëzim Aliu tha se titullin e romanit Olluri e ka marrë nga një tregim që gjendet në librin e tij “Shumë rrugë dhe një rënie”, botuar në 2013, ku këtë libër Aliu e quan sprovë të Ollurit, të kaluar me sukses në fushën e prozës tregimtare.

Sipas Virion Graçit, romani i Ollurit ka një detyrë të vështirë: të tregojë eksodin biblik të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999; të tregojë për aparteidin e shtetit federal jugosllav ndaj qytetarëve shqiptarë të Republikës së Kosovës, të tregojë për krimet dhe gjymtimet fizike-psikologjike të pësuara nga shqiptarët nën makinerinë ushtarako-policore të Sllobodan Millosheviçit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.