Prindërit e një gazetari amerikan të vrarë nga Shteti Islamik kanë kritikuar udhëheqësen franceze të Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, që ka shpërndarë në Twitter imazhin e birit të tyre të vrarë nga militantët e ISIS-it.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, është lëshuar një video e vrasjes së James Foley, i cili që nga viti 2012 konsiderohej i zhdukur në Siri, transmeton Gazeta Blic.
Le Pen kishte përdorur imazhet e tij, pasi një gazetar e kishte krahasuar partinë e saj me militantët e ISIS-it.
Largimi i imazheve të tij nga rrjeti social Twitter, është bërë pasi prindërit e gazetarit kanë bërë kërkesë për largimin e imazheve të tij nga rrjeti social.
“Ne jemi thellëshisht të shqetësuar që Marine Le Pen përdor imazhet e birit tonë të vrarë për qëllime politike,” thanë prindërit e gazetarit të vrarë.
Ndërkaq, Marine Le Pen, ka shtuar se ajo nuk ka qenë në dijeni se imazhet e postuara ishin të gazetarit të vrarë nga militantët e ISIS-it.