Lajmet e fundit

Tetova në protestë

Mijëra qytetarë të Tetovës të organizuar nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” dhe “Eco Guerilla” sot në shenjë proteste shprehën revoltën e tyre kundër ndotësit më të madh të ajrit në këtë rajon, kombinatit “Jugohrom”.

Në mesditë organizatorët të mbështetur nga mijëra qytetarë bllokuan hyrjet kryesore të qytetit, sepse sipas tyre, organet kompetente nuk ndërmarrin masat e nevojshme për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Tetovës kërkojnë të drejtën për ajër të pastër, por ndryshe nga herët tjera nga sektori civil thonë se me protesta dhe me bllokimin e rrugëve do të vazhdojnë edhe gjatë periudhës së ardhshme, ndërkohë ata marrin mbështetjen edhe nga partitë opozitare.

Ditët e fundit matjet tregojnë se në rajonin e Tetovës prania e grimcave të dëmshme në ajër (PM10) është 20 herë më e lartë nga niveli i lejuar. Për shkak të kësaj situate të rëndë që është krijuar kryetarja e komunës së Tetovës të mërkurën solli vendim për ndërprerjen e procesit arsimor në shkollat filore dhe të mesme të qytetit.

Sipas sektorit civil kombinati “Jugohrom” është fajtori kryesor i gjendjes alarmante me ndotjen e ajrit në rajonin e Tetovës, ndërsa qeveria e Maqedonisë konsideron se Jugohrom nuk është ndotës i vetëm, por këtu ka edhe shumë faktorë të tjerë.

Përndryshe, kombinati “Jugohrom” i cili prodhon çelik, hekur dhe legura hekuri funksionon që nga viti 1952 dhe sipas ekspertëve që nga ajo kohë kjo fabrikë mbetet ndotësi më i madh në Tetovë dhe rrethinën e saj.

Në vitin 2005 qeveria miratoi ndryshime ligjore, ku ndotësit duhej të plotësonin standardet ekologjike në afatin e paraparë deri më 1 prill të vitit 2014, ndërsa Jugohrom disa ditë para skadimit të afatit kërkoi kohë shtesë nga qeveria, e cila vendosi afatin e fundit për plotësimin e standardeve ekologjike deri më 31 tetor 2014.

Pas kësaj date Jugohrom edhe pse nuk përmbushi kërkesën për vendosjen e filtrave, ende është duke vazhduar punën me kapacitet jo të plotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.