Lajmet e fundit

Forca e gjuhës

Nga Afrim Dangëllia*
Elementi më i rëndësishëm në punën e psikologut dhe të psikiatrit është biseda me të sëmurin, ku fjala ka ndikim të konsiderueshëm në atmosferën e marrëdhënies mjek-pacient. Një marrëdhënie kjo, e përfolur që nga koha e daljes në dritë në Greqinë e lashtë të veprës “Corpus Ippocraticum”, shkruar nga vetë Hipokrati (460–377 a.C.), i cilësuar si babai i mjekësisë. Titullin e artikullit në fjalë, e sollëm nga artikulli me titull: “Die Macht der Sprache” (Forca e gjuhës), e Doktorit të psikiatrisë Svicerane Roman Fischer, botuar në një nga revistat gjermane të psikiatrisë nga viti 1992. Një artikull i bazuar kryesisht në filozofinë e Ludwig Wittgenstein (1989-1951), një filozof dhe mendimtar hebre austriak, i cili konsiderohet nga akademitë anglosaksone, si nga më të mëdhenjtë e shek. XX. Një nga veprat e tij, “Magnum opus”, që ka lënë gjurmë në filozofi është “Tractatus filosophicus”. Ky filozof ka vuajtur vetë për vite të tëra nga çrregullimi bipolar i humorit. Përveç ndikimit të ambientit të jashtëm, gjuha ka një ndikim parësor në zhvillimin e kores së trurit te njeriu. Për këtë topik, ka një mori artikujsh shkencorë me titullin “Brain and language” (Truri dhe gjuha), ku demonstrohet ndikimi që ushtron gjuha në zhvillimin pikërisht të kapaciteteve konjitive te njeriu. Profesoresha Friederici e Universitetit të Leipzigut, i përcaktuar si “Alma mater” në hapësirën gjermane, ka një sërë botimesh mbi këtë temë. Me Prof. Friederici zhvillova një bisedë rreth vështirësive në të mësuar të gjuhës shqipe, në klinikën Universitare të Psikiatrisë Berlin në vitin 1997, ku ajo mbajti një kumtesë mbi ndikimin që ka gjuha për sa thamë më sipër. Ne shqiptarët, ndihemi krenarë që flasim gjuhën shqipe, një gjuhë sa e lashtë dhe e bukur, aq edhe e vështirë. “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit, “Roli Mesianik i shqipes” i Zheit apo “Hapësira perandorake e folklorit shqiptar” e Kadaresë, janë fraza që të nguliten thellë në subkoshiencën tënde si pjesë e këtij populli dhe natyrshëm ngrenë lart, atë që psikanaliza e cilëson si “Selfesteem” (Vlera e vetes). “Gjuha shqipe që flitet në katër kontinente, përcjell kumtet”, na thotë Kadareja te “Ftesë në studio”. Por gjuha shqipe, me koeficientin e lartë të vështirësisë që mbart, ndihmon ndjeshëm shqiptarët në të nxënit e gjuhëve të huaja. Në të njëjtën linjë diskutimi ishte L. Wittgenstein shekullin e kaluar, ku në filozofinë e tij ka lënë më të arriturën metaforë, se: “Kufijtë e gjuhës sime, janë kufijtë e botës sime”. Dhe shqiptarët janë avangardë në horizontin intelektual ndërmjet të huajve, falë autoritetit të gjuhës së tyre. Falë ndikimit që ka pasur shqipja në shekuj, me pasurinë e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve si rrallë ndonjë gjuhë tjetër, në zhvillimin e kores së trurit. Pikërisht të atyre zonave që emërtohen si “Area Broka”, e që janë përgjegjëse për depozitimin e fjalëve dhe sinjaleve që ne marrim nga ambienti çdo ditë. Kjo ka bërë që shqiptarët të shquhen në atë që e cilësojnë si “Picking up of foreign languages” (Një dhunti për të mësuar gjuhët e huaja). Studimet e avancuara të biologjisë molekulare të trurit dhe të neuroimazherisë, kanë përcaktuar se ku depozitohen në koren e trurit tonë gjuha frënge, angleze dhe kështu me radhë. Këtë e dëshmonte disa vjet më parë revista amerikane e psikiatrisë, revistë kjo me një impakt nga më të lartët në literaturën mjekësore. Një profesor francez që kishte ardhur për një shkëmbim eksperience në Klinikën Universitare të Neurologjisë Tiranë në vitet ‘70, mbeti i shtangur nga niveli i frëngjishtes që fliste një adoleshent i shtruar për kurim në klinikë. Niveli i gjuhës gjermane që flasin intelektualët shqiptarë që kanë prekur shkencën dhe kulturën gjermane, një gjuhë me koeficient të lartë vështirësie, i ka çuditur kolegët e vendit mikpritës. Mos vallë gjuha shqipe është byzylyku i shqiptarëve i dhuruar nga Zoti? “Jeni të shkëlqyer si individë ju shqiptarët”, më shprehin opinionin e tyre shumë kolegë perëndimorë. Gjuha jonë duhet shprehur me kulturë dhe edukatë, pa vulgaritete. Mua më interesojnë argumentet që më transmeton një intelektual në praktikën tonë të përditshme apo në masmediat tona, dhe jo shprehje pa vlerë që nuk kanë forcë bindëse. Është kultura ajo që “pasuron mendimin”, një proces konjitiv i filluar hap pas hapi që në adoleshencë, me përpunimin e informacionit dhe me engramat që depozitohen në tru. Në të kundërt, mendimi mbetet i cekët dhe i varfër. Për pasurimin e mendimit, foli në kongresin botëror të psikiatrisë në Madrid më 1995-ën, një nga më të shquarit e psikiatrisë britanike, i ndjeri prof. G. Berely, i cili pati vizituar vendin tonë vite të shkuara. Kam pasur rastin të kuvendoj me të disa herë për ecurinë e shëndetit mendor të shqiptarëve. Gjeni që mbart individi, plus ambienti në të cilin është rritur dhe edukuar, i jep shkas zhvillimit të personalitetit. Ky ishte thelbi i diskutimeve tona. Sa më i pasur të jetë fjalori gjuhësor i individit, aq më i pasur është edhe mendimi i tij. Testet neuro-psikologjike i japin rëndësi këtij elementi. Piedestali u takon atyre që kanë studiuar dhe pasuruar gjuhën shqipe në shekuj, që nga Buzuku e deri në ditët tona. Dhe ne sot ndihemi krenarë. Kolegët e Berlinit më kërkuan adaptimin në shqipe të një prej testeve psikologjike, se iu nevojitej për intervistat me pacientët shqiptarë në Gjermani. Por, sado i përkryer që të jetë në gjuhët e huaja specialisti psikolog apo psikiatër, emocionet që përcjell gjuha amtare dhe atmosfera e mirëkuptimit me pacientin shqiptar, nuk kanë të krahasuar me atë që ndodh kur ndodhesh jashtë në klinikat perëndimore përballë një pacienti të huaj. Kjo i ka dhënë shkas zhvillimit të asaj disipline që cilësohet si psikiatria transkulturale, e cila sot po merr përmasa të konsiderueshme, për shkak të lëvizjeve demografike të këtij shekulli. Është e pafalshme për ndonjë shqiptar që neglizhon në të mësuarin e gjuhës shqipe fëmijëve të vet në dhP të huaj. “Fjalët që ne shprehim, janë si enët komunikuese në kimi, – vazhdon Wittgenstein në artikullin në fjalë. – Ato përcjellin metafora. Jeta jonë është e mbushur me metafora çdo ditë që kalojmë. Brenda meje më lind impulsi, si te çdo njeri, për të rendur drejt kufijve që më vendos gjuha ime. Por kjo rendje është e pakuptimtë. Unë ndihem i pafuqishëm. Etika dhe religjioni kurrë nuk do të jenë shkenca”. Duhet të jemi racionalë me gjuhën tonë, përndryshe fjalët e shumta boshe, përdorimi i metaforave vend e pa vend, sjellin çoroditje në shoqëri. Diktatura u përpoq me sistemin e vet represiv, t’i vinte fre të shprehurit të shqiptarëve kur ai binte ndesh me simbolet e atij sistemi. Intelektuali zotëron “forcën e të shprehurit”. Por nuk ia doli mbanë. Shqiptarët trokitën në dyert e shkencës dhe kulturës perëndimore dhe aty gjetën mikpritjen. Ndodh jo rrallë, të dëgjojmë përdorimin e fjalëve të huaja në diskutimet apo bisedat e përditshme ndërmjet nesh, duke menduar se kështu bëhemi më tërheqës për të tjerët, por gabojmë. Këtë dukuri duhet ta shmangim, për të ruajtur pastërtinë e gjuhës sonë! Në seminarin e përbashkët të psikiatrisë, që u mbajt në Prishtinë tre vjet më parë, pati reagime nga kolegët shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë duke parë referatet tona nga Shqipëria, të mbushura me fjalë latine apo anglosaksone. Për sa i takon ruajtjes së shqipes nga depërtimi i fjalëve të huaja, vëllezërit tanë të përtej kufirit janë më këmbëngulës se ne në Shqipëri.
*Autori është psikiatër

Leave a Reply

Your email address will not be published.