Lajmet e fundit

LAJME Shqipëria i thotë PO ligjit për dekriminalizim

​Pas ujdisë së arritur në komisionin e posaçëm, mazhoranca dhe opozita në Shqipëri bashkuan votat në seancë plenare dhe jetësuan ligjin për dekriminalizimin.

131 deputetët e pranishëm në sallë, fillimisht votuan pro ndryshimeve kushtetuese dhe më pas ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen ose emërohen apo që ushtrojnë detyra publike.
Ashtu siç ishte rënë dakort, ky ligj hyn në fuqi menjëherë pas botimit në fletoren zyrtare, pas dhënies së pëlqimit prej Presidentit të Republikës.

Megjithë konsensusin e gjetur në sallë, procesi i votimit u parapri nga një debat mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Përplasja mes deputetëve nisi në momentin kur do të betohej deputetja Mirela Ferracaku, që zëvendëson në këtë sallë ish-deputetin Mark Frroku.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi tha se bëhet fjalë për një rast të pashembullt më parë dhe se për këtë duhej marrë mendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Kushtetuta përcakton mbarimin e mandatit kur kemi një vendim të formës së prerë prej gjykatës. Deputeti Mark Frroku ka dhënë dorëheqjen dhe zëvendësuesi i tij, Arben Frroku është i dënuar, por Kushtetuta përcakton se deputeti duhet të marrë njëherë mandatin pastaj t’i hiqet ai. Pra kemi të bëjmë me një rast të pashembullt më përpara dhe kjo çështje kërkon interpretim kushtetues. Kur e merr? Si e merr dhe kur mbaron?”, tha Bylykbashi.

Taulant Balla replikoi duke deklaruar se bëhet fjalë për zbatim të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Këshilli i Mandateve lexoi vendimin unanim të Komisionit Zgjedhor dhe ne jemi këtu thjesht në zbatim të këtij vendimi”, tha Balla.

Bylykbashi deklaroi se pavarësisht vendimit të KQZ-së, ka një shkelje të Kushtetutës.

“Merret një vendim institucional që të mos i jepet mandati sepse është i dënuar me burgim të përjetshëm dhe është i arratisur”, tha ai.

Duke u ndalur tek ligji i dekriminalizimit, Bylykbashi tha se sot ky Kuvend ka në dorë të ndalojë këtë fenomen.

Pas betimit të deputetes Mirela Ferracaku, fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akuzoi drejtpërdrejtë kryeministrin Rama si përgjegjës për kriminalizimin e Kuvendit.

“I uroj deputetes së re suksese, por gjersa Arben Frroku të vendoset në vendin ku e ka caktuar drejtësia, Arben Frrok është Edi Rama. S’është për të qeshur kjo, është për të vajtuar. E çove vetë jashtë. Je bërë simbol i krimit në këtë Parlament”, iu drejtua ai kryeministrit Edi Rama. /TCh/

Leave a Reply

Your email address will not be published.