Lajmet e fundit

Klinaku: Qeveria ose të zhbllokojë Kuvendin, ose të dorëhiqet

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela ka bërë të ditur se nëse në sesionin pranveror, seancat mbahen në sallën rezervë ai nuk do të jetë prezent.

Anëtari i koalicionit në pozitë përmes një letre publike ka thënë se tash e tutje do të bojkotojë të gjitha seancat plenare që eventualisht mbahen në sallën alternative.

Për të folur për këtë në Ballë për Ballë me Shkodran Gajrakun në Ora e Fundit ishte i ftuar përfaqësuesi i LB-së, Avni Klinaku.

Klinaku ka thënë se sipas Lëvizjes për Bashkim, ligji duhet të zbatohet për të gjithë.

“Nëse Qeveria nuk është e aftë ta zbatojë ligjin, atëherë duhet të shkojë në dorëheqje”.

Klinaku ka treguar edhe se cila sipas tyre është rruga e duhur duke përmendur këtu edhe bisedimet me Serbinë.

“Për ne, rruga më e mirë do të ishte që i gjithë spektri të hartojnë një platformë politike për bisedimet me Serbinë”.

“Bisedimet me Serbinë janë marrë me lehtësi shumë të madhe, të gjitha subjektet duke marrë me lehtësi problemin e veriut kanë deklaruar se nuk duhet të ketë bisedime politike dhe kanë shkuar të papërgatitur”.

“Ne bëjmë thirrje që jashtë dy marrëveshjeve, të hartojnë një platforme politike mbi këtë çështje:.

Sipas tij, situata politike është e tillë pasi “partitë politike kanë agjenda politike, programe për të ardhur në Qeveri”.

Klinaku ka thënë se kjo Qeveri ka vetëm dy mundësi.

“Janë vetëm dy rrugë, zbatimi i ligjit dhe zhbllokimi i Kuvendit ose dorëheqje”.

“Për hir të situatës, nëse kjo Qeveri është e paaftë ta zgjidhe këtë situatë duhet patjetër dorëheqje”.

Ai ka thënë gjithashtu se Lëvizja për Bashkim nuk është pjesë e koalicionit.

“Ne nuk kemi bërë koalicion qeveritar, ne si rrjedhojë e zgjidhjeve na është ofruar një ministri por nuk kemi marrëveshje me askënd”.

Klinaku ka përsëritur se është e panatyrshme që Qeveria të mbajë seanca në salla të ngushta ndërsa 10 deputetët të opozitës të qëndrojnë në sallën e madhe të seancave plenare, njofton Klan Kosova.

Sipas tij, fajtor për këtë janë të dyja palët, si opozita ashtu edhe pozita.

“Fajtor është Qeveria që ka sjellë këto marrëveshje, fajtor opozita që ka ndihmuar të sjellen këto dy marrëveshje- fajtor të dyja palët”.

Ai ka thënë se para ligjit të gjithë janë të njëjtë duke marrë si shkas këtu arrestimet e deputetëvë të opozitës të cilët sipas tij kanë bërë shkelje ligjore.

“Para ligjit, nuk ka Kurti, nuk ka kryeministër, nuk ka opozita”

“Pavarësisht kush është dhe pozitën, kur e shkel ligjin duhet të shkojë në burg secili”.

“Burgosja është në bazë të ligjit, hedhja e gazit dhe sulmi ndaj kryeministrit është shkelje e ligjit”.

“Në bazë të ligjit penal, edhe urdhërdhënësi duhet të shkojë në burg,…Limaj, Haradinaj këta janë më përgjegjës gjithashtu”.

Sipas tij, marrëveshjet janë nga SHBA dhe BE.

“Problemi është si ti menaxhojmë ato përndryshe problemin e kemi me SHBA dhe BE e jo me Serbinë e Rusinë”.

Ai ka folur edhe për Ministrinë e Diasporës që është Ministria që u takon atyre dhe shpenzimet e larta që ka bërë kjo Ministri në udhëtime.

Klinaku e ka arsyetuar këtë duke thënë se Ministria e Diasporës ashtu si e ka emrin, duhet edhe ti kryejë udhëtimet dhe obligimet në diasporë – jashtë vendit.

“Të gjitha shpenzimet janë të arsyetuara me rezultate shumë të mira”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.