Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zbogar ka deklaruar se vlerësimi i Zyrës që drejton është që të gjitha kriteret e kërkuara mund të përmbushen brenda javëve dhe gjithsesi deri në vitin 2016.
Ai u ndal te 8 kriteret, duke thënë se katër prej tyre janë prioritet.
“Në raport janë katër kritere kyçe. Bartja e një numri të mjaftueshme të gjyqtarëve në departamentin e krimeve të rënda, krijimin e një historie hetimore dhe konfiskimi i pasurisë.
Kjo është e rëndë, por duhet të punohet më shumë; pastaj pavarësinë në organin e prokurimit; ajo që duhet të bërë është të emërohen njerëz jopolitikë në Organin Shqyrtues Rregullativ, zbatimi i ligjeve të demonstrohet se ky mekanizëm është funksional”, ka thënë Zhbogar.
Në grupin e dytë, ku janë edhe katër kritere që duhet përmbushur brenda disa muajve, është demarkacioni me Malin e Zi, fondi i migrimit, monitorimi e statusit të ulët të pranimit të kërkesave të azilit dhe e fundit që të sigurohet pavarësia e plotë e Avokatit të Popullit.
Ai më tutje ka thënë se tani u mbetet institucioneve të Kosovës që t’i përmbushin kriteret.
“Tani u mbetet institucioneve të Kosovës që t’i përmbushin këto kritere. Besoj se BE-ja është angazhuar për Kosovën, dhe e konsiderojmë si partner tonin. Këtë e kemi vërtetuar përmes MSA-së. Procesi i vizave është një proces teknik, për shkak të kritereve që duhet përmbushur, por edhe emocional, pasi njerëzit kanë pritur shumë gjatë për këtë”, është shprehur ai.
Zhbogar më pas ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk i kishte përmbushur të gjitha kriteret, duke lënë disa detaje të rëndësishme të pakompletuara, transmeton Koha.net.
“Qeveria kishte raportuar tek ne që ka përmbushur kriteret, por kur ne kemi shikuar, ato nuk ishin plotësisht të kryera, pasi mungonin disa detaje shumë të rëndësishme. Por, në vend se të kthehemi prapa dhe të shikojmë se kush ka bërë më pak e kush më shumë, besoj se duhet ne duhet të bashkohemi që t’i kryejmë këto obligime dhe të bëjmë gjithçka që Kosova të bashkohet me vendet që lëvizin pa viza”, ka thënë Zhbogar.