Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore për t’ia vazhduar masën e arrestit shtëpiak deputetes Donika Kadaj-Bujupi, ka reaguar Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas AAK-së ata që sot burgosin deputetë një ditë do të jenë ata që do ta gjejnë veten në burg.
AAK nuk e ka mirëpritur as vendimin për t’i vazhduar paraburgimin tre deputetëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të AAK-së:
Vendimi i sotëm i Gjykatës pë t’i vazhduar masën e arrestit shtëpiak deputetes së AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, si dhe vazhdimi i masës së paraburgimit për deputetët tjerë të opozitës, është mesazhi më i keq i qeverisë Mustafa në këtë fundviti.
Fakti që gjykata nuk e njofton as zonjën Kadaj Bujupi, e as avokatin e saj, me masën e shqiptuar, por ata këtë e marrin vesh përmes mediave, tregon se sa shumë ka degraduar sistemi i drejtësisë në Kosovë!
Pushteti në Prishtinë me këtë sjellje ndaj deputetëve të zgjedhur, po i qet hije të zezë të ardhmes së këtij vendi.
Ata në vend që të hapnin debat me deputetët se si të dilet nga kriza e krijuar, e kanë zgjedhur rrugën e burgosjes së tyre!
I sigurojmë të gjithë ata që po e instalojnë logjikën e shtetit diktatorial, se të fundit që do të burgosen në këtë vend, do të jenë vetë ata që sot, i kanë vendosur nën komandë edhe gjykatat edhe policinë!
AAK nuk do të bie pre e provokimeve kaq të rënda që po i bën ky pushtet opozitës, por është e bindur se diktatorët, heret a vonë, përfundojnë me turp!
Asnjë pushtet që burgosë deputetë e opozitarë, nuk ka mbërritur t’i gëzohet çmendurisë së vet!