Lajmet e fundit

Zharku: Serbia kurrë s’do ta menaxhojë hapësirën e lartë ajrore të Kosovës

“Me investimet që Kosova do t’i bëjë në shërbimet e navigacionit ajror, në vitin 2019, do të ishte plotësisht e gatshme që ta marrë përgjegjësinë edhe për ofrimin e plotë të shërbimeve në hapësirën e vet të lartë ajrore për mbikalimet tranzit të avionëve”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zharku, Aleanca Veriatlantike tanimë ka hequr kufizimet ajrore për Serbinë,të vendosura 16 vjet më parë, e të cilat vlenin 20 km në brendi të territorit të Serbisë, përgjatë vijës kufitare me Kosovën. A ka një vendim i tillë ndikim të drejtpërdrejtë në hapësirën ajrore të Kosovës?

Lutfi Zharku: Zona e Sigurisë Ajrore është një zonë ndalim-fluturimi, e vendosur në vitin 1999 nga komandanti i KFOR-it, përmes Marrëveshjes së Kumanovës. Kjo zonë fillon nga kufiri i Kosovës me Serbinë dhe shtrihet 25 kilometra në brendi të Serbisë përgjatë tërë vijës kufitare.

Pra, bëhet fjalë për një pjesë të hapësirës ajrore të Serbisë, dhe jo të Kosovës. Fluturimet nëpër këtë zonë kanë qenë të ndaluara dhe mund të kryhen vetëm me leje speciale të komandantit të KFOR-it.

Zona e Sigurisë Ajrore është relaksuar gjatë viteve të kaluara dy herë, një herë është relaksuar në vitin 2001 është ngushtuar nga 25 km në 10 km, dhe në vitin 2003 është ngushtuar më tej nga 10 km në 5 km.

Së fundi ka pasur një takim të komandimit të KFOR-it me ushtrinë serbe dhe Zona e Sigurisë Ajrore është relaksuar që do të thotë kemi të bëjmë me rritje të sigurisë apo faktikisht KFOR-i, ka vlerësuar se nuk ekziston ndonjë rrezik për sigurinë në Ballkan, rrjedhimisht edhe për Kosovën.

Zona e Sigurisë Ajrore nuk është anuluar – ajo është relaksuar plotësisht dhe mund të rivendoset në çdo kohë nëse komandanti i KFOR-it e konsideron të nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë problemet me të cilat përballet Kosova në hapësirën e saj ajrore, nga ana e Serbisë?ACE26343-370B-4A64-8E44-97AFBFEBF060_w640_r1_s

Lutfi Zharku: E dimë se që nga përfundimi i luftës, Serbia ka bërë përpjekje të vazhdueshme ta pengojë zhvillimin e aviacionit civil në vendin tonë. Serbia nuk ua lejon fluturimin nëpër hapësirën e vet ajrore aeroplanëve që vinë në Prishtinë apo aeroplanët që nisen nga Aeroporti i Prishtinës në aeroportet tjera.

Serbia, gjithashtu, publikon informata të rrejshme aeronautike se Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur për fluturime civile.

Me gjithë këto pengesa të vazhdueshme të Serbisë, efektet e tyre kanë qenë të vogla, për shkak se Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni në hapësirën tonë ajrore dhe vit pas viti kemi pasur rritje të vazhdueshme të aktiviteteve të aviacionit civil dhe zhvillim të infrastrukturës ajrore.

Tash për tash, të gjitha fluturimet në Aeroportin e Prishtinës kryhen përmes një korridori ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë. Vetëm ky korridor është i hapur aktualisht për fluturime civile.

Ministria e Infrastrukturës, Autoriteti i Aviacionit Civil, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe institucionet tjera të shtetit janë duke punuar ngushtë me NATO-n për normalizimin e plotë të hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, që i bie që është hapësira nën 6.500 m.

Ky proces udhëhiqet nga NATO-ja, me pjesëmarrje të organizatave relevante ndërkombëtare dhe shteteve tjera të rajonit.

Me normalizimin e plotë të hapësirës sonë të ulët ajrore, do të hapen korridore të reja ajrore me të gjitha vendet fqinje, të cilat do ta shkurtojnë çdo fluturim në Prishtinë për rreth 250 km, apo 20 minuta.

Kjo nënkupton kosto më të vogël operative për kompanitë ajrore dhe rrjedhimisht, kjo do të duhej të reflektohej në bileta më të lira të udhëtimit për pasagjerët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht, menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës e bën Hungaria. Ka pasur diskutime se Qeveria e Serbisë ka pretendime që të marrë përsipër mbikëqyrjen dhe menaxhimin e shërbimeve të kontrollit ajror mbi territorin e Kosovës, pas skadimit të mandatit të Hungarisë. A ka pasur ndonjë kërkesë të tillë?

Lutfi Zharku: Menaxhimi i hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës deri në lartësi 6.500 metra kryhet plotësisht nga Agjencia jonë e shërbimeve të navigacionit ajror. Këtu përfshihen shërbimet e navigacionit ajror për të gjithë aeroplanët që fluturojnë në Aeroportin e Prishtinës dhe një numër të madh fluturimesh të KFOR-it dhe të aviacionit të përgjithshëm.

Hapësira ajrore mbi 6.500 metra, pra hapësira e lartë ajrore, e cila shfrytëzohet për mbikalime tranzit, kontrollohet nga Hungaria, në bazë të një vendimi të Këshillit të NATO-s.

Serbia në vazhdimësi ka pretendime për kontrollin e hapësirë sonë ajrore, por ka një dallim të madh midis dëshirave të Serbisë dhe mundësisë së realizimit të atyre dëshirave.

Serbia ka bërë përpjekje të mëdha që ta marrë në menaxhim hapësirën tonë të lartë ajrore para disa vitesh, gjatë procesit të udhëhequr nga NATO-ja, i cili rezultoi me delegimin e përkohshëm të këtyre përgjegjësive te Hungaria.

Republika e Kosovës qysh në fillim e ka bërë të qartë që në asnjë rrethanë Serbia nuk do ta menaxhojë hapësirën tonë të lartë ajrore dhe në atë kohë NATO-ja e ka orientuar procesin në identifikimin e një shteti të tretë, i cili është praktikisht, teknikisht dhe politikisht i përshtatshëm.

Ai shtet është dashur të jetë shtet anëtar i NATO-s, shtet mik i Republikës së Kosovës, që nuk është në fqinjësinë tonë të parë. Pra, Serbia kurrë as nuk është konsideruar, e as që do të konsiderohet ndonjëherë si shtet që do të mund të ofrojë shërbime të navigacionit ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës, përkundër pretendimeve të saj.

Radio Evropa e Lirë: Pas vitit 2019, kur përfundon edhe mandati i Hungarisë për shërbimet e ofruara në hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, a do të jetë e gatshme Kosova të menaxhojë vet me hapësirën e lartë ajrore?

Lutfi Zharku: Kosova edhe sot mund të menaxhojë vetë, Kosova ka kapacitete duke përfshirë edhe pajisjet që janë investuar, edhe në personelin që e kemi, një personal i cili vlerësohet lartë edhe nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me aviacionin civil.

Në mënyrë që të jemi të përgatitur, edhe për çdo rast edhe dhe në aspektin teknik,në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Investime, unë kam paraqitur edhe propozimin për investime shtesë në shërbimet e navigacionit ajror të Republikës së Kosovës në shumën prej 13 milion euro, e që jemi të bindur që deri në atë kohë do t’i kryejmë të gjitha ato investime.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë nga viti 2019, Kosova do ta jetë në gjendje të bëjë vetë kontrollin e hapësirë së vetë të lartë ajrore?

Lutfi Zharku: Me këto investime, Kosova do të ishte plotësisht e gatshme që në vitin 2019 ta marrë përgjegjësinë edhe për ofrimin e plotë të shërbimeve në hapësirën e vet të lartë ajrore për mbikalimet tranzit të avionëve.

Unë shpresoj se do të kemi mirëkuptim nga ana e KFOR-it, që pas Hungarisë ta na besojë neve kontrollin e hapësirës së lartë ajrore./Rel

Leave a Reply

Your email address will not be published.