Ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani mori pjesë në punëtorinë ku u diskutua rreth modalitetit të themelimit të Eko Fondit, që u organizua nga GIZ-i gjerman.
Ministri Ferid Agani, në lidhje me këtë tregoi të arriturat e Ministrisë në aspektin e harmonizimit të legjislacionit si dhe për objektivat zhvillimore të mjedisit.
Ai tha se qytetarët kanë nevojë për një mjedis të pastër duke i përmbushur nevojat e sigurimit të kushteve cilësore për një jetesë me të mirë, si dhe për sigurimin e energjisë së ripërtrishme në shkallë sa më të lartë.
Ministri Ferid Agani gjithashtu e potencoi nevojën për ekonominë cirkullare apo siç njihet në tërësi si ekonomia e cila bazohet në rishfrytëzimin e të gjitha resurseve që disponon shteti, që trajtohen si resurse të panevojshme apo si barrë, por që paraqesin një mundësi të mirë të zhvillimit të ekonomisë siç janë: mbeturinat, ujërat e zeza, shfrytëzimi i energjisë së diellit ,erës, ujit apo ndërlidhja e gjitha kapaciteteve përpunuese rreth këtyre resurseve ekonomike.
Ministri Agani tha se që nga fillimi i mandatit në këtë ministri është angazhuar që të vihet në binar ligji për Eko Fondin, i cili sipas tij është nevojë e domosdoshme për adresimin e çështjeve mjedisore.
Ndërsa, të dy panelistët nga radhët e GIZ-it, Kai Hofman dhe Driton Vatovci folën për kornizën politike dhe ligjore, ndërsa Drejtori i Departamentit për Mbrojtjen e Mjedisit, Muhamet Malsiu prezantoi punën e realizuar për Eko Fondin përgjatë këtyre muajve.