Shefja e Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, duke iu referuar ngjarjeve që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë arsye të jenë optimistë për të ardhmen.
Dumoshi ka përmendur finalizimin e tre projekte madhore, të cilat, sipas saj, dëshmojnë punën dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Qeverisë Mustafa gjatë këtij viti, inaugurimi i Projektit “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri”, përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, nënshkrimi për Termocentralin “Kosova e Re” si dhe përzgjedhjen e Kosovës për të përfituar përkrahje miliona dollarëshe nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) dhe raportin pozitiv të KE-së për vizat.
Shkrimi i plotë i Dumoshit:
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, janë finalizuar 3 projekte madhore, të cilat dëshmojnë punën dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Qeverisë Mustafa gjatë këtij viti.
Dje u bë inaugurimi i Projektit “Rregullimi sekondar frekuencë-fuqi Kosovë-Shqipëri”, dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Ndërsa, sot u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit për Termocentralin “Kosova e Re” ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë “Contour Global”.
Kur i shtohet këtyre të arriturave edhe përzgjedhja e Kosovës për të përfituar përkrahje miliona dollarëshe përmes granteve investuese nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e cila drejtohet nga sekretari amerikan i Shtetit i SHBA-ve, John Kerry dhe raporti pozitiv i KE-së për vizat e apeli i Presidentit Juncker për liberalizim të shpejtë të vizave, qytetarët e Kosovës kanë arsye të krenohen dhe të jenë më optimistë se kurdoherë për të ardhmen. Vazhdojmë!