Vjosa Musliu
Xixa, muzikë, bredh të Vitit të Ri, borë natyrale dhe jonatyrale. Pazare Krishtlindjesh në qytete milionëshe plot drita apo edhe në qytete ku mezi jetohet. Festiviteti dhe dekorimi bëhet pjesë e arkitekturës dhe qytetit. Supermarkete që mbushen me produkte me ngjyra të kuqe dhe të arta. Nuk ka vetëm birra, por birra të ambalazhuara për Vit të Ri. Bukë e Vitit të Ri. Sapun i Vitit të Ri. I të njëjtit çmim si në Bazel apo Lipjan. Njerëz që ngarendin poshtë e lartë për të mbyllur vitin ne mënyrë ceremoniale. Njerëz që përgatiten për të pritur vitin që po vjen në mënyrë festive. Të gjithë, pa përjashtim. Pavarësisht nëse keni pasur një vit të bukur apo jo. Pavarësisht nëse ndjeni se doni të festoni ose jo. Pavarësisht nëse keni nge të merreni me xixëllimat imponuese ose jo.
Gjithmonë më është dukur legjitime të kërkosh të zhdukesh në dhjetor. Edhe si fëmijë. Detyrimi gati i pamohueshëm i njeriut ndaj festës dhe të festuarit më duket një nga gjërat më të pikëlluara. Duket si periudha kur del më së shumti në pah jolumturia dhe saga njerëzore e që bëhet një me vezullimën e bredhave të Vitit të Ri, dizajnet prej pambuku, apo të dritave shumëngjyrëshe. Vezullim, drita e trishtim edhe në vende ku ende ka probleme me furnizim të energjisë elektrike.
Nuk ka përrallë Viti i Ri. Kjo sepse ka shumë më pak shpresë dhe dashuri se në përralla. As Babadimri nuk beson më në të. Rrjedhimisht as fëmijët. Në qytetet milionëshe defilojnë babadimra të veshur me kostume të prodhuara në ndonjë bodrum fabrike në Azi. Në rastin më të mirë, këto kostume janë qepur nga njerëz që paguhen 18 centë në orë, e në rastin më të keq nga fëmijë dhe të mitur. Njerëz të pashpresë që qepin kostume për njerëz të palumtur të hapësirave më të kamura. Në vende të tjera Babadimri i ngjan kafshëve ekzotike që detyrohen të performojnë nëpër cirqe. Ky Babadimër nuk është plak i Vitit të Ri. Është një i ri që vishet për të paguar ndonjë qira, ndonjë semestër, ndonjë iPhone.
Në hapësirat patriarkale edhe Viti i Ri është zgjatim i shkeljes dhe dhunës. Gra që sfiliten në kuzhinë, shtrojnë e zbukurojnë tavolina, dhe burra që rrinë paturpësisht në kokërr të shpinës me telekomandë në dorë. Edhe sot, për shumë familje kosovare, nata e Vitit të Ri është nga netët e pakta kur festohet në shtëpi. Festohet me bollëk – njëherë në vit. Është nga netët e pakta kur ngrihet një dolli nga të gjithë anëtarët e familjes. Për shumë fëmijë në Kosovë, kjo është dita e vetme në vit kur mund t’i shohin prindërit e tyre tek shkëmbejnë ndonjë përqafim a puthje.
Të lumtur e të palumtur, të gjithë duhet të planifikojmë një vit më të mirë. Në qytetet milionëshe “rezolutat” më të shpeshta për Vitin e Ri janë: të humbim peshë, të konsumojmë më shumë produkte bio, të konsumojmë “fair-trade fashion”, të balancojmë më mirë jetën profesionale dhe personale, të udhëtojmë më shpesh. Diku tjetër “rezolutat” e Vitit të Ri janë ende: të gjej një punë, të marrë një vizë, të jetoj vetëm me bashkëshortin/bashkëshorten dhe fëmijët, të shkoj në pushim (lexo: në det).
Të lumtur e të palumtura, barkthatë e të pasur, fëmijë e të rritur, ateistë e besimtarë, të gjithë dorë më dorë për të komodifikuar festën si produkt që e shesim e blejmë. Si produkt me të cilin shpërfaqim komplekset tona kulturore e ekonomike. Deri me 1 janar kur zgjohemi dhe vetëm atëherë e vërejmë mjerimin e dritave, të xixave dhe të balonave. Brenda natës e gjithë ajo skenë bëhet krejtësisht e panevojshme në qytete milionëshe, ndërsa bëhet kontejner mbeturinash në vende tjera.