Lajmet e fundit

Hoti: Ligji për Prokurimin Publik, reforma me e thellë që nga paslufta

Ministri i Financave Avdullah Hoti, sot në një konferencë para gazetarëve ka prezantuar Raportin e punës për vitin 2015. Hoti në prezantimin e tij renditi të arriturat e ministrisë që ai drejton, i cili tha se këtë vit Ministria e Financave e përmbyll vitin me rezultate më të mira se sa viteve të kaluara.

Hoti tha se këtë vit Qeveria e Kosovës ka arritur që nga doganat të mbledh 9 për qind më shumë të hyra se sa në vitin e kaluar, derisa të hyrat nga Administrata Tatimore, sipas tij, kanë shënuar rritje prej 12 për qind. Nëse kjo përkthehet në të hyra, rezultati është 113 milionë më shumë të hyra.

Sipas ministrit Hoti, ajo që është planifikuar këtë vit por nuk ka arritur të realizohet është prezantimi i një buxheti për vitin 2016 prej 2 miliardë eurosh. Kjo sipas Hotit nuk ka ndodhur për shkak të vonesave për procedimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës.

Hoti gjatë prezantimit të Raportit të punës tha se Qeveria në tërësi këtë vit ka miratuar 76 projektligje të ndryshme të proceduara në Kuvendin e Kosovës, 17 prej të cilave janë proceduar nga Ministria e Financave, që i bie 22 për qind program legjislativ i realizuar nga ministria e tij.

Hoti: Ministria e Financave procedoi në Kuvend 17 projektligje

“Tek agjenda legjislative kemi pasur, edhe si Qeveri edhe si Ministri, një agjendë shumë të ngjeshur. Qeveria gjatë këtij viti ka miratuar 76 projektligje të ndryshme të cilat i ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre 17 janë proceduara nga Ministria e Financave, që është rreth 22 për qind e programit legjislativ të Qeverisë të realizuar nga Ministria e Financave”, tha Hoti.

Ai tha se një ndër ligjet më të rëndësishme i aprovuar së fundmi në Kuvendin e Kosovës, është ligji për Prokurimin Publik. Sipas tij, kjo është reforma më e thellë e prokurimit publik në Kosovë që nga paslufta.

Hoti: Ligji për Prokurimin Publik, reforma me e thellë që nga paslufta

“Një ligj tjetër i rëndësishëm që unë dëshiroj të përmend sot para juve, që është aprovuar tani vonë në Kuvendin e Kosovës dhe presim që në fillim të vitit të ardhshëm të filloj zbatimi i këtij ligji, është Prokurimi Publik, që është reforma më e thellë e prokurimit publik të marrë në Kosovë prej pasluftës e këndej. Me këtë ligj mundësohet aplikimi i plotë i prokurimit elektronik dhe në këtë ne jemi duke punuar intensivisht”, theksoi ai.

Sipas ministrit të Financave Hoti, një tjetër ligj me rëndësi është ligji për Faljen e Borxheve, i cili ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet.

Hoti: Dy viteve të ardhshme, qytetarëve u falen 680 milionë euro

“Ligj tjetër me rëndësi, është ligji për Faljen e Borxheve, që është në fuqi dhe ka filluar të zbatohet. Janë 680 milionë euro që do t’u falen qytetarëve në dy vitet e ardhshme”, tha Hoti.

Ndërkaq, në të hyrat e sivjetme, sipa s ministrit, 113 milionë euro më shumë se vitin e kaluar do të mbledh Qeveria e Kosovës këtë vit. Sipas tij, sivjet është trefishuar trendi i rritjes së të hyrave në baza vjetore me 9 për qind më shumë të hyra në dogana dhe 12 për qind në Administratën Tatimore krahasuar me vitin e kaluar.

Hoti: Sivjet 113 milionë euro më shumë të hyra

“Kam kënaqësinë që të raportoj para jush se sivjet të hyrat do të jenë 9 për qind më të larta në dogana krahasuar me vitin e kaluar dhe 12 për qind më të larta në Administratën Tatimore krahasuar me vitin e kaluar. Sivjet ne mbledhim 113 milionë më shumë se në vitin 2014. E kemi trefishuar trendin e rritjes së të hyrave në baza vjetore. Nga një për qind rritje sa ka pasur në vitin 2013, tre për qind në vitin 2014 dhe këtë vit po shkojmë në 10 për qind rritje të të hyrave nga doganat dhe Administrata Tatimore”, potenc oi ministri Hoti.

Sipas Hotit, në tërësi këtë vit Qeveria e Kosovës pret që të ketë rritje ekonomike prej 3.8 për qind, ndërsa theksoi se rritja e të hyrave pritet të jetë 10 për qind.

Hoti: Sivjet, 3.8 për qind rritje ekonomike

“Sivjet presim që rritja ekonomike të jetë 3.8 për qind, ndërkaq rritja e të hyrave është 10 për qind. Pra, është tre fish më e madhe rritja e të hyrave krahasuar me rritjen ekonomike të vendit që është shenjë luftimi e informalitetit në vend”, tha Hoti.

Si të arritur të ministrisë së tij, Hoti e përmendi edhe fillimin e pagesave të përvojës së punës për herë të parë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat i kësaj, ai tha se pagat janë rritur prej 3 deri në 4 për qind, ndërsa ky vendim Qeverisë ai tha se i ka kushtuar 30 milionë euro më shumë se që ishte planifikuar. Po , ashtu ministri Hoti përmendi edhe rritjen e asistencës sociale për 25 për qind për 27 familje që jetojnë të varur nga asistenca sociale. Vendimi është duke u zbatuar nga muaji nëntor i këtij viti.

Hoti: Rritëm pagat për punëtorët e sektorit publik dhe asistencën sociale

“Kemi filluar ta bëjmë pagesën e përvojës së punës për herë të parë për të gjithë të punësuarit në sektorin publik. Si rezultat janë rritur pagat prej 3 – 4 për qind, varësisht prej viteve të përvojës së punës deri në 22. Kjo na ka kushtuar 30 milionë euro shtesë, që nuk kanë qenë të planifikuara në buxhet, por i kemi realizuar përmes kursimeve që kemi arritur t’i bëjmë gjatë këtij viti. Nga nëntori i këtij viti e kemi rritur asistencën sociale për 25 për qind për 27 mijë familje që janë të varura nga asistenca sociale”, theksoi ai.

Ministri i Financave tha se synimet e ministrisë së tij që janë planifikuar, por nuk kanë qenë të arritura është dorëzimi i një buxheti prej 2 miliardë eurove në Kuvendin e Kosovës si dhe reforma e vonuar në prokurimin publik. Hoti Fajin për këtë ia la vonesave të procedimit të ligjeve përkatëse në Kuvendin e Kosovës.

Hoti: Nuk mundëm ta dorëzojmë një buxhet prej 2 miliardë eurove në Kuvend

“Atë që kemi planifikuar por nuk kemi arritur ta bëjmë sivjet është dorëzimi në Kuvendin e Kosovës të një buxheti prej 2 miliardë euro. Kjo ka qenë e pamundur për shkak të vonesave të procedimit në Kuvendin e Kosovës të ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, pra për aprovimin e klauzolës së investimeve që edhe tash e cila na mundëson që ne të hyjmë në projekte të mëdha zhvillimore. Kjo është ide që ne jemi pajtua r që nga muaji janar i këtij viti me Fondin Monetar Ndërkombëtar, sepse si vend që kemi një borxh publik prej vetëm 12 për qind të brutoproduktit vendor krahasuar me 70 për qind sa kanë vendet tjera, kemi hapësirë që të hyjmë në kredi ndërkombëtare me kushte të volitshme për të financuar këto projekte. Planet tona kanë qenë që të përgatisim këtë buxhet rreth dy miliardë euro. Për shkak të vonesës së ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, për ne ka qenë ligjërisht e pamundur të dorëzojmë buxhet përtej një deficiti buxhetor prej dy për qind sa është i paraparë me ligjin që ka qenë në fuqi deri tash. E dyta është reforma në prokurorimin publik. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet prej fillimit të vitit dhe pritjet kanë qenë që diku në muajt e verës, eventualisht në shtator të fillojmë në prokurorimin elektronik. Por ligji u aprovua tek para një jave. Kjo e ka bërë të pamundur që ne edhe gjatë këtij viti të fillojmë me prokurim. Këto kanë qenë dy çështjet që vetëm janë shtyrë”, tha Hoti.

Hoti theksoi po ashtu se Qeveria e Kosovës ka mbajtur 64 mbledhje të rregullta. Në këto mbledhje sipas Raportit që ai ka prezantuar janë trajtuar 569 pika, prej të cilave 99 kanë qenë të Ministrisë së Financave, që në përqindje i bie 17 për qind e të gjitha pikave të rendit të ditës. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.