Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, kërcënoi për sanksione juridike vendet e Bashkimit Evropian që refuzojnë pritjen e refugjatëve në kuadër të një programi për kuotat e shpërndarjes.
“Evropa është një komunitet i të drejtës”, theksoi kreu i diplomacisë, në një intervistë për të përjavshmen “Der Spiegel”.
“Dhe nëse nuk mund të bëhet ndryshe, gjërat do të zgjidhen nëpërmjet rrugëve juridike, të parashikuar për këtë efekt”, shtoi ai.
Steinmeier përmendi veçanërisht Sllovakinë dhe Hungarinë që kanë paraqitur ankesë në drejtësinë evropiane kundër kuotave të shpërndarjes së refugjatëve mes shteteve anëtare të BE-së, miratuar në muajin shtator.
“Solidariteti evropian nuk është rrugë vetëm me një kalim”, shprehu me keqardhje Steinmeier.
Në kuadër të rivendosjes së 160 000 refugjatëve në vende të ndryshme të BE-së, Sllovakia duhet të presë rreth 2 300 persona.