Lajmet e fundit

Qeveria po e tkurr shtetin

Opozita e bashkuar, në vazhdën e manifestimeve nëpër qytete të Kosovës, dje kërkoi nga qytetarët e Prizrenit mbështetje për ndalimin e marrëveshjeve për krijimin e Komunave Serbe dhe Marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacion.

Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, të cilët mbanin në duar pankarta nga më të ndryshmet, liderët opozitarë thanë se Prizreni është shembulli më i mirë se si komunitetet në Kosovë mund të jetojnë në harmoni të plotë. Për këtë, opozitarët parlamentarë thanë se po e kërkojnë ndihmën e tyre, sepse me marrëveshjet e reja vetëm se do të përçahet ajo.
Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, duke u folur qytetarëve tha se qytetarët e Prizrenit e dinë se çfarë do të thotë të kenë udhëheqës të korruptuar e që, sipas tij, janë të njëjtë me Isa Mustafën, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, të cilët po e tkurrin shtetin me demarkacion.
“Ju qytetarë të Prizrenit e dini shumë mirë se çfarë do të thotë për ta pasur kryetarin e komunës edhe të korruptuar, edhe të dënuar, por edhe në pushtet. Po ashtu, ju e dini se çfarë do të thotë të keni politikanë të korruptuar, të cilët janë në pushtetin qendror dhe e kanë uzurpuar këtë pushtet. Dje prokurorët dhe gjykatësit e këtij pushteti ua kanë vazhduar edhe për 60 ditë paraburgimin… regjimi policor i treshes famëkeqe, Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, është ngritur kundër popullit sepse është ngritur kundër përfaqësuesve të qytetarëve të kësaj Republike. Këtë Republikë kjo treshe famëkeqe po e kërcënon me “Zajednicë”, këtë Republikë po e tkurrin me demarkacion”, tha Ymeri

Leave a Reply

Your email address will not be published.