Lajmet e fundit

Thaçi: Djegia e veturës zyrtare e motivuar nga politika e frikësimit

Hashim Thaçi: As shteti dhe as pushteti nuk fitohen dhe ndërtohen me dhunë, por me respektimin e vullnetit të popullit, me respektimin e ligjeve, me dialog, durim, punë dhe përkushtim.

Hashim Thaçi ka dënuar djegien e veturës së kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës Hamdi Ibrahimit, njofton Klan Kosova.

“E papranueshme djegia e veturës zyrtare të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, për ata që ia duan të mirën Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“Ky është edhe një sulm tjetër kundër institucioneve të shtetit dhe presion mbi organet e pavarura të Republikës së Kosovës”.

Sipas Thaçi, djegien e veturës zyrtare e kanë bërë njerëz të caktuar të shtyrë nga motive politike me qëllim frikësimin e zyrtarëve dhe destabilizimin e shtetit.

“Me këto veprime të kundërligjshme, grupe të caktuara të motivuara politikisht, po mundohen t’i frikësojnë bartësit e këtyre institucioneve dhe t’i destabilizojnë strukturat themelore shtetërore, politike e kushtetuese të Republikës së Kosovës”,shkroi Thaçi.

“Këto veprime politike, që po e cenojnë rendin publik, janë vazhdimësi e veprimeve të atyre që po e cenojnë rendin kushtetues në Kuvendin e Kosovës”.

Thaçi ka përsëritur edhe njëherë se dhuna nuk është rruga e duhur me të cilën duhet të synohet marrja e pushtetit.

“As shteti dhe as pushteti nuk fitohen dhe ndërtohen me dhunë, por me respektimin e vullnetit të popullit, me respektimin e ligjeve, me dialog, durim, punë dhe përkushtim”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.