Lajmet e fundit
“Llamkos” ndal prodhimin

“Llamkos” ndal prodhimin

Fabrika e llamarinës në Vushtrri, e cila së fundmi është privatizuar nga “Core Group”, një konzorcium anglez, ka dy muaj që e ka ndërprerë prodhimin.

Për shkak të vështirësive që ka hasur konzorciumi në vitin 2013 ka arritur t’i prodhojë vetëm rreth 7 mijë tonë llamarinë të zinkuar. Një prej anëtarëve të menaxhmentit të fabrikës “Llamkos Galva Steel”, Nysret Gërxhaliu, ka thënë se ka dy muaj që fabrika nuk prodhon.

“Ka dy muaj që nuk prodhohet, momentalisht punohet vetëm në përpunimin e një pjese të llamarinës që ka mbetur nga prodhimi i mëhershëm”, ka thënë shkurt Gërxhaliu, pa dashur të lëshohet në detaje.

Gërxhaliu ka preferuar që për fabrikën të bisedohet me drejtorin gjeneral të “Llamkos Galva Steel”, por gazeta, me gjithë përpjekjet nuk ka arritur që ta kontaktojë atë, të shtunën.

Për shkak të vështirësive në të cilat ndodhet, “Llamkos” mund ta ketë fatin e dy kompanive tjera të huaja, të cilat kishin blerë fabrikën, por ishin detyruar të tërhiqen për shkak se kishin falimentuar.

Fabrika e llamarinës “Llamkos Galva Steel” momentalisht ka 477 punëtorë në listën e pagave, ndërsa në sistem të pagave ka edhe futbollistët dhe shtabin teknik të klubit të futbollit, FC Llamkos Kosova të Vushtrrisë.

Sipas Gërxhaliut, fabrikën e llamarinës fillimisht e kishte privatizuar një kompani bullgare, e cila kishte dështuar që t’i ngritë kapacitetet dhe ta vërë në funksion fabrikën.

Pas dështimit dhe protestave të punëtorëve, kompania bullgare ishte tërhequr, ndërsa me ritenderim, atë e kishte privatizuar një biznesmen indian, por edhe ai brenda një kohe të shkurtër kishte falimentuar.

Së fundmi, Fabrika e llamarinës në Vushtrri është privatizuar nga “Core Group”, një konzorcium anglez, por që pohohet se pronari i vërtetë i fabrikës është një shqiptar me shtetësi britanike.

Privatizimi i fabrikës së llamarinës në Vushtrri nga konsorciumi britanik “Core Group”, ishte vlerësuar atëherë si investim i rëndësishëm britanik në Kosovë. Vetëm pas pak kohësh fabrika kishte nisur të rimëkëmbet dhe brenda një kohe të shkurtër kishte nisur edhe prodhimin.

Në vitin 2012, “Llamkos Galva Steel” ishte bërë prodhuesi më i madh i llamarinës së zinkuar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e rajonit, dhe si e tillë kishte filluar plasimin e produkteve të saj edhe në tregjet ndërkombëtare.

Sasinë më të madhe të transportit, “Llamkos Galva Steel” e kishte realizuar në Portugali. Një kompani portugeze kishte kontraktuar një sasi fillestare prej 400 tonelatash llamarinë e zinkuar me dimensione të ndryshe dhe paketim special.

Për ta përmbushur kontratën dhe zotimet ndaj kompanisë portugeze, punëtorët e fabrikës “Llamkos Galva Steel” kishin punuar edhe me tre turne, duke përfshirë edhe vikendet, vetëm për të prodhuar sasinë e kontraktuar sipas kualitetit dhe standardeve të pranuara nga BE-ja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.