Lajmet e fundit

Flet Hamdi Ibrahimi: Djegia e veturës lidhet me punën si Kryetar i Gjykatës Themelore

Djegia e veturës zyrtare lidhet me punën që e bëj si Kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Në këtë Gjykatë mbulohen rastet e terrorizimit, krimit të organizuar dhe rastet e fundit të Kuvendit të Kosovës. Nuk e di saktë se cila është adresa e saktë e atyre që ma dogjën veturën. Sidoqoftë, akti kriminal ishte i përgatitur mirë. Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, flet për Express.
Kryetari i Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi, nuk e ka adresuar vetëm te një adresë përgjegjësinë për djegien e veturës së tij zyrtare. I ka hapur tri pista të mundshme. Ka thënë se vetura i është djegur për shkak se i gjykon rastet më të rënda si ato të terrorizmit, të krimit të organizuar dhe rastet e fundit deputetëve.

S’ka pranuar të thotë adresën saktë se kriminelët e cilës prej tri pistave kanë mundur të kenë vënë në shënjestër veturën e tij.

“Vetëm e di qe djegia e veturës, patjetër, që lidhet me punën si Kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Patjetër që lidhet me punën time. Unë mbuloj rastet më të rënda si të terrorizmit, krimit të organizuar dhe edhe rastet e fundit”, ka thënë Ibrahimi, për Gazetën Express.

Vetura e Kryetarit të Gjykatës Themelore është djegur pasmesnatës. Policia ende s’ka të dyshuar apo arrestuar. Vetëm kanë treguar se janë duke i vazhduar hetimet.

Ndërkohë, Hamdi Ibrahimi thotë se djegia e veturës është bërë në mënyrë të organizuar.

“Është zgjedhur momenti, vendi dhe shihet se është e organizuar dhe e menduar deri të detaje. Sepse aty ku e lë veturën time s’ka vetura tjera dhe s’kalon njeri andej”, ka shtuar ai.

Ibrahimi nuk ka komentuar deklaratën e Zëvendëskryeministrit Thaçi, i cili e ndërlidhi rastin e Kryetarit të Gjykatës me veprimet e Opozitës në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk me lejohet të komentoj deklaratat e politikanëve. Është e drejtë e tyre të komentojnë. Ndërsa, rasti i djegies së veturës zyrtare lidhet me punën që bëj si Kryetar i Gjykatës më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, ka shtuar ai.

Ibrahimi ka thënë se përveç shqetësimeve familjare s’ka pasur dëme të tjera jashtë veturës.

Ai ka thënë se është shqetësuese për familjen e tij ndërsa e dëmshme për Kosovën të dërgohen lajme të tilla në botë që sulmohet vetura e një Kryetari të Gjykatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.